Site icon Telegrafi

Mustafa: Në vitin 2020 prishëm koalicionin me VV-në për të evituar konfrontimin me ShBA-të, vepruam mirë por e paguam shtrenjtë

Ish kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se çmimin për prishjen e relacioneve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian nuk do ta paguajë kryeministri Albin Kurti dhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, por e gjithë Kosova.

Mustafa përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se LDK në vitin 2020 prishi koalicionin me VV-në për evituar konfrontimin me SHBA-të të cilin e pagoi shumë shtrenjtë.

Sipas tij, në atë kohë VV-në e përkrahën diplomatët e ShBA-së, Gjermanisë, Francës, etj.

“LDK në vitin 2020 prishi koalicionin me VV-në për të evituar konfrontimin e Kosovës me SHBA-të. E pagoi çmimin më të shtrenjtë me rreth 100 mijë vota! Por në atë kohë VV-në e përkrahnin diplomatët e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, Mbretërisë së Bashkuar, raportuesja e Kosovës në Parlamentin Evropian e…. E sollën vet në pushtet së bashku me analfabetët funksional. Sot, frikësohem se çmimin e prishjes së relacioneve me SHBA-të dhe BE-në , nuk do ta paguajë VV me Kurtin dhe Osmanin por do ta paguajë e gjithë Kosova”, ka thënë Mustafa.

Po ashtu ish kryeministri i vendit tha se: “Ngushëllimi i vetëm më mbetet se Lidhja Demokratike e Kosovës e kishte vlerësuar drejtë rrezikun dhe vepruam mirë në interes të Kosovës”. /Telegrafi/

Exit mobile version