Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka kritikuar Qeverinë Kurti lidhur me krizën energjetike që është paralajmëruar se do të kaplojë vendin këtë dimër.
Përmes një postimi në Facebook, Mustafa ka thënë se në vend se të ofrojë zgjidhje, Qeveria i ka lënë të braktisur qytetarët.
“Në vend që të ofrojë zgjidhje për dimrin e ftohtë e të errët që po na afron, në mungesë të energjisë elektrike dhe me çmime marramendëse të lëndëve djegëse për ngrohje, Qeveria sot i paska rrudhur krahët duke ua lënë fajin qytetarëve “duhet ta kurseni rrymën”.
Pra, qytetarët këtë dimër të egër s’kanë çka i drejtojnë sytë kah Qeveria, ajo me sot i ka lënë të braktisur”, ka shkruar deputeti opozitar.
Ndryshe, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në një konferencë për media sot, ka bërë thirrje që të kursehet energjia elektrike me qëllim të kalohet dimri, siç e ka konsideruar ajo të vështirë.
Ajo ka bërë të ditur se kanë marrë disa masa emergjente për kursimin e energjisë elektrike.
“Sezona e dimrit do të jetë e vështirë për të gjithë Evropën, e kjo do të ndikojë edhe te ne. Vendet si Britania e Madhe dhe Zvicra kanë paraqitur masa të ndryshme për kursime të energjisë. Prandaj, në këtë drejtim është mirë të jemi të vetëdijshëm për çfarë na pret, e ku ne po marrim masat e nevojshme. KEK-u po bën përgatitjet që ndërhyrjet në blloqet e Kosova A dhe Kosova B që të përfundojnë para dimrit. Duhet të kursejmë energji”, ka thënë Rizvanolli. /Telegrafi/