Kryeministri Isa Mustafa dhe partia të cilën e drejton, LDK, kanë mbetur jetimë në insistimin që me çdo kusht duhet ratifikuar versioni aktual i demarkacionit me Malin e Zi, për të cilin ekspertë dhe opozita prej një viti kanë alarmuar se ia tkurr territorin shtetit për afro 8 mijë hektarë.
Qasje ndryshe për këtë temë kanë deklaruar edhe zyrtarë të partisë kryesore në pushtet, PDK-së, ani se Hashim Thaçi, duke qenë lider i saj, e kishte firmosur Marrëveshjen e kufirit, shkruan sot Koha Ditore.
Në fillimvit Thaçi është zgjedhur president i shtetit dhe, me të marrë mandatin, ka hequr dorë nga funksioni partiak.
Prej atëherë, jo pak deputetë të PDK-së kanë folur me rezerva përkitazi me demarkacionin.
E, vetë kryeparlamentari Kadri Veseli, që e ka pasuar Thaçin në krye të partisë, ka prishur planet e Qeverisë për ta proceduar këtë muaj Marrëveshjen për ratifikim në Kuvend, dhe ka ftuar një konferencë shkencore për demarkacionin, në të cilën do të përballen kundërshtarët e saj dhe Komisioni shtetëror për shënjimin e kufirit.