Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se takimi që ka zhvilluar sot me krerët e Bashkimit Evropian në Bruksel ka qenë “shumë i rëndësishëm, shumë i mirë dhe shumë përbajtësor”.
Mustafa ka thënë se është “çështje javësh” që të vendoset lidhur me liberalizimin e vizave për kosovarët.
“Biseduam edhe me presidentin Juncker, edhe me përfaqësuesen e lartë Mogherini, lidhur me të gjitha punët që ne kemi bërë deri më tani”, ka thënë Mustafa.
“Vlerësuam se është arritur progres shumë i madh, sidomos prej takimit që ne kemi pasur në nëntorin e vitit të kaluar me presidentin Juncker. Kemi përmbushur të gjitha kërkesat që Bashkimi Evropian i ka shtruar para nesh, edhe në procesin e liberalizimit të vizave, por edhe në proceset e tjera integruese evropiane”, ka deklaruar kryeministri në një intervistë për transmetuesin publik.
Mustafa ka thënë se është vlerësuar se “institucionet e BE’së do të marrin parasysh të gjithë atë që është arritur në Kosovë, edhe gjatë vlerësimit të procesit të liberalizimit të vizave”.
“Unë i jap vetit të drejtë që të pres se së shpejti ne do të marrin një lajm pozitiv nga institucionet e BE-së sa i përket të drejtës së qytetarëve tanë që të lëvizin në vendet e BE’së ashtu siç lëvizin të gjithë qytetarët e tjerë të BE’së”, ka thënë Mustafa.
“Është çështje javësh që të vendoset lidhur me këtë, kam besim të plotë në institucionet e BE’së se ato në mënyrën do të drejtë do të vendosin lidhur me këtë proces”, është shprehur ai.