Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se partia e tij ishte e interesuar për të pasur postin e Kryetarit të Kuvendit, por atë e mori për vete Lëvizja Vetëvendosje.
“Unë mund t’iu siguroj që LDK-së i ka interesuar posti i Kryetarit të Kuvendit. Sepse LDK-ja është ndjekur nga parimi që edhe LDK-ja duhet ta ketë një pozitë përfaqësuese derisa të vjen posti i presidentit. Nga e drejta që me njëzet e tetë deputetë të kihen të gjitha postet? As në monizëm nuk funksionon kështu. As ne e as Lëvizja Vetëvendosje nuk duhet të lejojmë që apetite të tilla ta ndalin marrëveshjen”, ka thënë Mustafa.
Kreu i LDK-së ka deklaruar se partia e tij nuk i ka kërkuar Lëvizjes Vetëvendosje që t’i japë ministri më shumë.
“Unë s’po them e pranueshme e e papranueshme, por i kapërcen parimet që LDK-ja ka hyrë në negociata me Vetëvendosjen. Ne nuk kemi kërkuar që të marrim ministri më shumë se sa që kemi marrë. Unë nuk shoh arsye që të heqim dorë nga parimet. Vetëvendosje nuk duhet të heq dorë nga posti i kryeministri dhe edhe LDK-ja duhet të ketë një post të lartë”, ka thënë ai.