Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka thënë se nuk e kanë pritur një vendim të tillë të Gjykatës Kushtetuese dhe se ende nuk kanë një emër për kandidatin e mundshëm për kryeministër nga kjo parti.
Këto komente Mustafa i bëri sot gjatë homazheve tek varri i ish-presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, me rastin e 31-vjetorit të themelimit së LDK-së.
Mustafa po ashtu tha se ende nuk kanë diskutuar emrin e ndonjë kandidati për kryeministër nga kjo parti.
“Ne nuk kemi përmend askënd. Po presim këto ditë mbi bazën e asaj që deklaroi edhe Hoti dje që të mblidhet kuvendi dhe miratohet buxheti. Të shpallen zgjedhjet dhe do t’i mbledhim organet tona. Do të diskutojmë në mënyrë institucionale, jo mbi bazën e dëshirave personale”, sqaroi ai.
I pyetur për kandidimin ose jo të liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ai tha se secili duhet ta respektoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Nuk e shkruaj ligjin as Kushtetutën, dhe nuk bëj komente për këto. Gjykata Kushtetuese e ka dhënë vlerësimin e vet. Ai që ka të drejtë të konkurrojë për deputet duhet të konkurrojë dhe ai që s’ka të drejtë mbi bazën e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese duhet ta respektoj siç po e respektojmë dhe ne, një vendim të Gjykatës Kushtetuese të cilin nuk e kemi prit, mirëpo që ka ardh dhe si të tillë po e respektojmë”, ka thënë Mustafa.
Ai duke folur për LDK-në në 31-vjetorin e themelimit, tha se mburren me partinë e tyre për të gjitha të arriturat deri më sot.
“Jemi këtu për të nderuar presidentin tonë, kryetarin e parë të LDK-së, Ibrahim Rugova. Me rastin e 31 vjetorit të themelimit të LDK-së, sot të gjithë ne shënojmë një ditë të madhe kur intelektualët e Kosovës janë të bërë të gjithë bashkë për formimin e partisë së parë politike pluraliste në sistemin i cili ka ushtruar dhunë, gjenocid dhe urrejtje ndaj shqiptarëve dhe po ashtu si kundërpërgjigje të orientimit të Kosovës, pro vlerave evropiane dhe euro atlantike. Si LDK mburremi me të gjitha të arriturat tona gjatë kësaj periudhe”, ka thënë ndër të tjera Mustafa. /Telegrafi/