Telegrafi

Mustafa: Kosova si anëtare e koalicionit global kundër terrorizmit është partnere e barabartë në luftimin e kësaj dukurie

Ministria e Punëve të Brendshme ka mbajtur takimin e grupit për zbatimin e strategjisë kundër terrorizmit 2018-2023.

Ministri Mustafa ka thënë se implementimi i Strategjisë dhe Planit të Veprimit kundër Terrorizimit, është jashtëzakonisht shumë kompleks dhe kërkohet përkushtim dhe qasje sistematike.

“Strategjia bazohet në katër shtylla të cilët janë në harmoni të plotë me Strategjinë e Bashkimit Evropian kundër Terrorizmit. Ne duhet të bazohemi në praktikat e deritanishme të botës demokratike. Parandalimi, mbrojtja, ndjekja dhe reagimi janë jo thjeshtë shtylla mbi të cilat dizajnohet tutje strategjia, por janë vetë objektivat strategjik të cilët duhet të synojmë”, theksoi ai.

Sipas njoftimit për media, Mustafa vuri në dukje se Republika e Kosovës, si anëtare e koalicionit global kundër terrorizmit, ka treguar përkushtim dhe njëkohësisht ka marrë përgjegjësi dhe obligime të caktuara, të cilat janë përfshirë në këtë strategji.

Mustafa kërkoi nga anëtarët e grupit punues për implementimin e aktiviteteve që të përfshihen të gjitha dimensionet, ashtu siç kërkohet në dokumentin e aprovuar.

Në komunikatë thuhet se anëtarët e grupit punues u shprehën të gatshëm në kuadër të kapaciteteve ndërinstitucionale në implementimin e aktiviteteve që janë të paraparë në këtë strategji dhe vlerësuan se deri më tani shteti i Kosovës ka bërë përpjekjeje maksimale në paramendimin dhe luftimin e terrorizmit./Telegrafi/