Telegrafi

Mustafa: Kosova, larg standardeve të të drejtave të konsumatorit

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, thotë se Kosova është ende larg standardeve për të drejtat e konsumatorëve.

Sipas tij, Qeveria do të bëjë që konsumatorët kosovarë të gëzojnë të drejtën e përmbushjes së nevojave bazë, të drejtën e zhdëmtimit, të drejtat për edukimin e konsumatorëve dhe të drejtën për një mjedis të shëndetshëm.

“Me të drejtë është ngritur shqetësimi për rrezikun nga produkte të dyshimta dhe me afat të skaduar, që shumë herë mund të gjenden në tregjet e Kosovës. Pa paragjykuar rezultatet, ju siguroj që Qeveria që unë drejtoj do të dëgjojë ankesat e konsumatorëve dhe do të këmbëngulë për t’u siguruar që konsumatori kosovar ushqehet dhe shërbehet me furnizim që plotëson standardet më të mira evropiane”, ka thënë ai në Ditën Botërore të të Drejtave të Konsumatorit. /Telegrafi/