Telegrafi

Mustafa konfirmon dorëheqjen nga pozita e kryetarit të LDK-së, thotë se rezultati i zgjedhjeve ishte shumë i keq

Isa Mustafa pas mbledhjes së kryesisë së LDK, para mediave ka konfirmuar dorëheqjen e tij nga pozita e kryetarit të LDK-së.

Mustafa ka thënë se rezultati i zgjedhjeve ka qenë shumë i keq për LDK-në.

“Kishim mbledhjen e kryesisë që e thirra unë pas rezultateve të zgjedhjeve. Rezultati është shumë i keq për LDK-në, rezultat që ne nuk e kemi pritur fare as nga puna në teren e as nga puna që ka bërë kryeministri Avdullah Hoti. Qytetarët e thanë fjalën e tyre përmes votës dhe në shenjë të respektimit të kësaj vote, unë sot e kam njoftuar kryesinë se do ta thërras kuvendin e LDK-së për zgjedhjen e kryetarit të ri në një periudhë të shpejtë kohore me statut e kemi 60 ditë që ta bëjmë këtë mirëpo unë do ta bëjë më shpejtë këtë”, ka thënë Mustafa.

Mustafa theksoi se bartë përgjegjësinë si kryetar i LDK-së për atë se çfarë ju ka ndodhur në këto zgjedhje.

“Dua ta ruaj LDK-në dhe dua që LDK-ja të fuqizohet dhe të rikthehet si forcë e rëndësishme politike sepse i nevojitet Kosovës”, u shpreh Mustafa.

Ai ka shtuar se së shpejti Kuvendi do ta zgjedh kryetarin e ri, dhe se për momentin nuk kanë caktuar ushtrues detyre. /Telegrafi/