Telegrafi

Mustafa kërkon nga BERZH-i mbështetje për hapjen e vendeve të punës

Kryeministri Isa Mustafa, priti zëvendëspresidentin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Phil Bennett, me të cilin bisedoi për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe hapat që po ndërmerr Qeveria në këtë drejtim.

Gjatë takimit, Mustafa shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit dhe njëkohësisht ka kërkuar mbështetjen e BERZH-it në shumë fusha të zhvillimit ekonomik, duke përfshirë sektorin privat dhe atë publik, të cilat do të kenë ndikim në hapjen e vendeve të punës dhe rritjen e mirëqenies sociale për qytetarët e Kosovës.

Ndërkaq, Bennett, e falënderoi kryeministrin Mustafa për pritjen, duke vlerësuar lartë “progresin që po arrihet në Kosovë dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”.

Bennett foli edhe për projektet e BERZH-it dhe përkrahjen e mëtutjeshme që mund të ofrojë për Kosovën.