Site icon Telegrafi

Mustafa: Ka pasur veprime për atentat edhe ndaj meje

Foto: Ridvan Slivova

Pas raportimit se ekzistonte një plan për atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në vitin 2021, një gjë të tillë nuk hezitoi ta konfirmonte Qeveria.

Sipas njoftimit, thuhet se institucionet e sigurisë i kanë ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e këtij veprimi dhe se rasti nuk është bërë publik për të mos përhapur panik.

Megjithatë, nuk është kjo hera e parë që ndaj kryeministrit të Kosovës të përgatitet një rast atentati.

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një prononcim të shkurtër për Dukagjinin, e ka konfirmuar se gjatë kohës kur ai ishte kreu i ekzekutivit, edhe për të ka pasur planifikime për atentat.

Ai ka theksuar se disa herë ka qenë cak i sulmeve siç thotë ai nga “militantët e Vetëvendosjes”.

Mustafa teksa ka renditur rastet me të cilat në atë kohë ishte përballur si kryeministër, ka potencuar se njëra nga to ishte sulm me bomb molotovi.

“Ka pasur edhe veprime për atentat siç është gjuajtja e shtëpisë time me bomba molotov nga VV, tentimi të gjuhet makina ime zyrtare nga militantët e VV-së me iriq të hekurt, gjuajtja me gurë e makinës time, por duke e qëlluar makinën e përcjelljes policore në një natë në kthim nga Suhareka”, ka thënë Mustafa.

Megjithatë, ish-kryeministri Mustafa ka sqaruar se për të gjitha këto ishin në dijeni organet e rendit.

Ai ka sqaruar arsyen e mos publikimit të lajmit.

“Ne kemi qenë atë ditë të informuar se po përgatiten një rast atentati, organet e kanë kryer punën e vet. Ne nuk kemi dalë në publik me informata për arsye se kanë qenë udhëzimet e organeve që të ruhet procesi”, shtoi Mustafa.

Ndryshe të hënën e 19 shtatorit, mediumi shqiptar A2news, ka raportuar se ka ekzistuar një plan për vrasjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti.

Sipas këtij mediumi, kjo është bërë e ditur nga një dokument i cili është bërë publik të hënën nga disa hakerë, të cilët dyshohet se këto dokumente i kanë marrë nga emaili i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në vitin 2021, Gledis Nano.

“Në vitin 2021, Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka zbuluar një plan për të vrarë kryeministrin Albin Kurti dhe dy persona të tjerë nga një shtetas nga Shqipëria. Të paktën, kështu rezulton në një dokument të bërë publik këtë të hënë, nga hakerët, i cili dyshohet se është marrë nga emaili i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në vitin 2021, Gledis Nano”.

“Në dokument theksohet se Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka marrë informacione për atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Ismet Haxhës, ish-anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës dhe i afërm i Kadri Veselit, dhe ndaj Xhavit Halitit, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-deputet”, thuhet në raportimin e A2news.

I dyshuari, sipas A2 news, është Prek Kodra, i cili sipas raportimit të këtij mediumi, ka aftësi të mirë në përdorimin e snajperëve. Ai dyshohet se është përfshirë në disa vrasje të tjera në Kosovë e Mal të Zi.

“I dyshuari është Prek Kodra, shtetas shqiptar. Në dokument theksohet se ai ka aftësi të mira në përdorimin e snajperëve. Ai dyshohet se është përfshirë në disa vrasje në Kosovë dhe Mal të Zi. Ndërkohë, Kodra dyshohet se jeton në Shkodër, ndërsa vepron në Tropojë, Ferizaj dhe Deçan të Kosovës”, thuhet në postimin e A2news.

Sipas Policisë Shqiptare, ky person është me precedent penal dhe është hetuar për vrasje me paramendim dhe mbajtje pa leje të armëve të gjahut. Ai u shpall në kërkim në vitin 2016, ndërsa pas kontrolleve në banesë iu gjetën dy armë gjahu dhe 90 fishekë. Në shtator të vitit të kaluar u pezullua urdhri i kërkimit, ndërsa konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë, raporton A2.

Sipas mediumit A2, fillimisht ishte planifikuar vrasja e Ismet Haxhës, pas një muaji, ishte planifikuar të vritej edhe Xhavit Haliti, dhe pastaj kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Sipas informacione të Njësisë Kundër Terrorizmit, objektivi i parë do të ishte Ismet Haxha. Objektivi i dytë ishte Xhavit Haliti, i cili do të vritej një muaj pas Haxhës për t’u dukur si hakmarrje. Më pas, do të vritej edhe kryeministri Albin Kurti”.

Sipas informacioneve, qëllimi i këtyre atentateve është destabilizimi i Kosovës.

Po ashtu, në dokument theksohet se të tre atentatet do të kryheshin në katër muajt e ardhshëm.

Exit mobile version