Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa përmes një video-mesazhi ka treguar se kanë realizuar pagesat për 2 mijë e 941 fermerë, në vlerë prej 7,9 milion euro.
Mustafa ka thënë se shumë shpejtë do të shpallin programin për zhvillimin rural, dhe programin për pagesa direkte për vitin 2020, transmeton Telegrafi.
“Më 23 prill, kemi themeluar grupin punues për përgatitjen e udhëzimit administrativ për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga dukuritë natyrore, për të siguruar paanshmëri dhe transparencë të plotë në kompensimin financiar nga MBPZHR. Ndërsa, më 22 prill i kam propozuar kolegut Besnik Bislmit, Ministër i Financave dhe Transfereve që 5 milion eurot e parapara nga MBPZHR në Pakon Emergjente Fiskale të ju ndahen drejtpërdrejtë komunave. Në këtë mënyrë, Komunat do të mund të blejnë nga bujqit tonë perimet e freskëta pranverore, të cilat në mungesë të tregjeve të gjelbra nuk po mund t’i shesin dhe këto perime të ju ofrohen familjeve në nevojë”, ka thënë Mustafa në video-mesazh./Telegrafi/