Site icon Telegrafi

Mustafa flet për EULEX-in, Mariqin, Kilajn, e Hoxhajn

Kryeministri Isa Mustafa tha se EULEX-i duhet të vazhdojë të veprojë në disa fusha, mirëpo gjithnjë duke i lëshuar hapësirë për veprim, organeve vendore. Ndërsa tha se për këtë çështje, ende është duke u biseduar me Brukselin.

“Sa i përket EULEX-it tani jemi duke biseduar akoma. Ne kemi arritur mjaft përparime gjatë vizitës që ishte nga Brukseli javën e kaluar këtu. Kanë mbetur edhe disa çështje të hapura, për të cilat unë nuk preferoj tani të flasim, sepse megjithatë duhet t’i diskutojmë me Brukselin. Por orientimi është që EULEX-i duhet të vazhdojë në disa fusha edhe më tutje. Mirëpo gjithmonë duke lëshu hapësirë që organet vendore, të marrin sa më shumë hapësirë në këto fusha dhe përgjegjësia të kapërcej me kohë në organet vendore”, tha Mustafa, përcjell KP.

Ndërsa i quajti të papranueshme deklaratat e ministrit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Lubomir Mariq, kundër anëtarësimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA. Mustafa tha se do të kërkojë sqarim nga ministri Mariq, për deklaratat e tij.

“Sa i përket ministrit Mariq, do të bisedoj me të. Deklaratat, disa prej tyre nuk janë në kompetencën e tij dhe në fushën e tij që ai të merret me to, sepse janë politika qeveritare dhe ministrat i kanë punët në fushat e tyre dhe ata duhet të angazhohen që ta bëjnë punën në atë fushë në të cilën janë. Por gjithsesi për mua disa prej këtyre deklaratave, janë të papranueshme, të cilat do t’ia prezantoj zotit Mariq dhe nuk do të dëshiroja që më tutje, ndonjë prej ministrave të merret me gjëra të tilla”, tha Mustafa.

Ndërsa sa i përket raporteve të partnerëve të koalicionit, duke marrë parasysh deklaratat e zëvendësministri të Financave Isni Kilaj, i cili ka drejtuar kritika për ministrin Avdullah Hoti dhe Qeverinë duke thënë se LDK po punëson njerëz në institucione, Mustafa tha se këto nuk janë punë të zëvendësministrave, por janë punë të tij dhe Veselit.

“Zëvendësministrat të bëjnë punën e tyre në ministri. Sepse nuk është kjo punë e zëvendësministrave. Kjo është punë e partnerëve të koalicionit dhe këta partnerë kryesorë të koalicionit, tani jemi unë dhe z.Veseli që është kryetar i PDK-së dhe ne të dy drejtojmë çështjet e koalicionit. S’është punë e tjerëve”, tha Mustafa.

Mustafa ka folur dhe për propozimin e Enver Hoxhajt për ministër të Jashtëm.

Mustafa tha se propozimet për ministra, ende nuk kanë arritur, por se po presin propozime konkrete, pasi që kjo është çështje e partnerit të koalicionit. Ndërsa tha se e vlerësojnë Enver Hoxhajn, si kandidat për këtë post dhe është i pranueshëm për ta, duke marrë parasysh përgatitjet e tij profesionale.

Exit mobile version