Telegrafi

Mustafa e Veseli në fillim të tetorit ftojnë opozitën në takim, “mbi bazën e fakteve e jo mbi bazën e emocioneve”

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe kryeparalementari Kadri Veseli, do të ftojnë në takim drejtuesit e partive opozitare në Kosovë, në fillim të muajit tetor, për të diskutuar për çështjen e projektligjit për shënimin e vijës kufitare në mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Kështu ka bërë të ditur vet kryeministri Mustafa, në një lidhje telefonike për televizionin publik të Kosovës.

Ai tha se për problematikën e krijuar në vend për shkak të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, ka biseduar edhe në New York me drejtuesit e disa shteteve dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, ku tha se këta të fundit janë të shqetësuar me situatën në vend.

Mustafa tha se së bashku me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, do të thërrasin në një takim udhëheqësit e partive opozitare, për t’ju përcjellë shqetësimin e faktorit ndërkombëtar në lidhje me këtë çështje.

“Do të bëjmë përpjekje që të veprojmë mbi bazën e fakteve e jo mbi bazën e emocioneve”, tha Mustafa, duke shtuar se ia ka bërë me dije faktorit ndërkombëtar se Kosova nuk ka probleme me Malin e Zi, ashtu siç është pasqyruar në publik, por se ka opozitën në vend e cila vazhdon të besojë se Kosova humb territor me marrëveshjen e demarkimit të kufirit me Malin e Zi.