Site icon Telegrafi

Musliu-Shoshi i kundërpërgjigjet Gërvallës: 1.1 cent nuk janë keqpërdorur, por 1.1 milion po

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, i është kundërpërgjigjur ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvallës, e cila hodhi poshtë akuzat e PDK-së se ka keqpërdorur me paratë e shtetit.

Gërvalla në reagimin e saj tha se “jo 1.1 milion euro, por as edhe 1.1 cent”, nuk e ka keqpërdorur.

Ndërsa, i menjëhershëm ishte reagimi i deputetes së PDK-së e cila njëherësh është anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme.

Lexo po ashtu PDK: Ministrat Gërvalla dhe Damka keqpërdorën rreth 1.1 milion euro

Musliu-Shoshi në kundërpërgjigjen e saj, duke ju drejtuar Gërvallës, ka thënë se është e vërtetë që 1.1 cent nuk janë keqpërdorur, por 1.1 milion po.

“Të lutem demanto me fakte që nuk ka pas keqpërdorim nga ana Juaj, na trego a është nënshkrimi juaj në dokument i vendosur?” i është drejtuar ajo Gërvallës.

Po ashtu, i ka kërkuar që të argumentojë se marrëveshja që ka nënshkruar hyn në kuadër të marrëveshjes për bashkëpunim ndërinstitucional dhe nuk është në kundërshtim me nenin 12 të Ligjit për Marrëveshjet Ndërkombëtare.

Ndryshe, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi dhe avokati Faton Fetahu, përmes një konference për media të mbajtur të mërkurë, kanë denoncuar siç pretendojnë ata, keqpërdorimin e 1.1 milion eurove, nga ministrat Donika Gërvalla dhe Fikrim Damka.

Musliu-Shoshi ka thënë se kjo është aferë e dyshimtë dhe e kundërligjshme, përmes së cilës është mundësuar keqpërdorimi i rreth 1.1 milion eurove të taksapaguesve të Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version