Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është në presion të madh nga ai rus Vladimir Putin dhe vetë serbët në veri të Kosovës po manipulohen nga bandat kriminale të mbështetura nga regjimi i Beogradit.
Kështu thekson eksperti i sigurisë Agim Musliu për The Geopost, duke shtuar se shfrytëzimi i bandave kriminale, të drejtuara nga Milan Radoiciqi dhe Zvonko Veselinoviq nga Vuçiqi, është njësoj sikurse që ka bërë Sllobodan Millosheviqi me Arkanin.
Musliu në këtë intervistë shton se veriu i vendit tonë po vazhdon të përdoret nga Rusia përmes luftës hibride dhe se sipas tij, mundësia për destabilizimin e rajonit është e mundur.
Ai tregon se mediet ruse të financuara nga Kremlini, veçanërisht Russia Today dhe Sputnik, po vazhdojnë të propagandojnë kinse për një luftë nga Kosova për serbët në veri të vendit.
Po ashtu, Musliu ka komentuar edhe marrëveshjen e fundit për dokumentet, të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se SHBA-ja duhet të jetë garantuese e kësaj arritjeje.
Intervista e plotë:
Veriu i Kosovës ka qenë sfidë jo vetëm i qeverive të kaluara, por edhe i faktorit ndërkombëtar. Si e shihni situatën e sigurisë në veri tani?
Agim Musliu: Veriu i Kosovës që nga paslufta është një problem në vete në Republikën e Kosovës për shkak të koncetrimit të bandave kriminale të cilat gjithmonë janë në shërbim të sigurimit shtetëror serb dhe pushtetit të atjeshëm. E ka gjenezën e vet sigurisht që nga viti ’99 duke u tërhequr forcat serbe është lënë ai kanal që të tërhiqet ushtria serbe dhe policia serbe, një prej kanaleve kryesore ka qenë edhe ky i Veriut të Mitrovicës dhe një pjesë e fshehur apo një pjesë latente e agjentëve kanë qëndruar aty dhe e kanë siguruar terrenin që t’ia fillojnë të veprojnë në Veri të Mitrovicës si një bazë e tyre, në një numër shumë më të vogël, por me kalimin e kohës është zhvilluar edhe aktiviteti i tyre dhe masovizimi i tyre me kthimin e një pjese të popullit serb në Veriun e Mitrovicës.
Ajo se çfarë është karakteristike për Kosovën dhe institucionet e saj të sigurisë është që Veriu i Kosovës është i populluar dhe mund të themi jeta e kontrolluar nga këto banda kriminale, të cilat janë e thamë edhe më herët në shërbim të sigurimit shtetëror serb, shërbimit sekret civil dhe atij ushtarak, por kulmi i saj është pushteti politik në Beograd.
Më së shumti ka probleme populli serb që jeton aty, populli i rëndomtë i cili jeton në pjesën veriore të Kosovës, sepse janë të shantazhuar, janë të frikësuar, janë të rrahur nëse mendojnë ndryshe, nëse veprojnë ndryshe nga politika aktuale serbe. Ka pasur disa grupe që kanë vepruar aty. Së pari kanë qenë pjesëtarët e MUP-it serb që kanë mbetur aty dhe janë masovizuar më vonë, rojet e urës të quajtur etj. të cilët janë integruar në sistemin e sigurisë të Kosovës, në Policinë e Kosovës një pjesë e tyre, pastaj janë shfaqur disa grupe tjera por gjithmonë janë në shërbim të asaj që quhet shërbimi sekret serb dhe shtetit serb.
Sigurisht që nuk është e rastësishme sepse qysh në vitin ’99, Rusia një pjesë të kontingjenteve nga Bosnja e Hercegovina e vendosi në Aeroportin e Kosovës, Brigadën e Parashutistëve, për të negociuar më vonë apo për të tregtuar më vonë me Kosovën. S iç dihet Kosova është, dhe Ballkani një pjesë e luftës hibride, luftës speciale të Putinit të cilën e bën në Ballkan dhe në këtë kontekst gjithmonë duhet ta shohim edhe veriun e Kosovës dhe bandat të cilat udhëhiqen nga kriminelë ordinerë, tashmë të njohur dhe të ndjekur edhe ndërkombëtarisht nga Thesari i SHBA-së, siç është Radojçiqi, Veselinoviqi, etj. Kur i përmendim këta emra, e përmendim vetë presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiqin, sepse këta bëjnë para për të, për partinë e tij.
Si bëjnë para, nëpërmjet bizneseve, tenderëve etj., jo vetëm në Kosovë, por edh enë Serbi, shumë bile në Serbi, bëjnë para për partinë e Vuçiqit për të mbetur në pushtet. Pjesa e dytë e punës së tyre në terren është sa më shumë vota në terren për Vuçiqin dhe partinë e tij, sidomos në Kosovë. Si e bëjnë këtë, me frikësim, me shantazh, me para, etj., dhe veprimtaria tjetër është që këta janë punëtorët më besnikë të Aleksandar Vuçiqit.
Në çfarë aspekti e them, ta bëjmë një krahasim, thjeshtë një komparacion të kohës së kaluar dhe të sodit. Millosheviqi e pati Arkanin, i cili vriste dhe bënte të gjitha ato krime të tmerrshme në Kroaci, në Bosnje e Hercegovinë, në Serbi, në Kosovë për Sllobodan Millosheviqin, bënte para, bënte tregti, por edhe bënte luftëra. Këta janë Arkanat e Vuçiqit, do me thënë kjo është ajo që mund të themi një lloj përfundimi i mendimit dhe i veprimit të këtyre kriminelëve në veri të Kosovës, që e kontrollojnë një pjesë të madhe të jetës publike në veriun e Kosovës.
Si shfrytëzohet veriu i Kosovës nga Rusia?
Agim Musliu: Në vazhdën e luftës hibride të cilën Rusia e bën afro dy dekadave në tërë botën, por me një theks të veçantë në Ballkan, sepse Ballkani historikisht njihet si vendi apo territori ku mund të ndizet flaka e luftës shumë shpejt dhe të destabilizohet Evropa. Në këtë aspekt duhet ta shohim edhe veprimtarinë e Putinit dhe luftës së tij hibride në Ballkan.
Ai shpeshherë din, nëpërmjet Serbisë, nëpërmjet patericës së vet të cilën e ka të kontrolluar, vlen të përmendet fakti se me mijëra agjentë rusë të shërbimit sekret operojnë në Serbi.
Pastaj, kanë një qendër ‘humanitare’ e cila vepron në Nish mbi një dekadë e gjysmë. Ajo është qendër e spiunazhit rus e cila shërben për operacionet e saj në Ballkan dhe më tutje. Ndërsa, shteti serb mund të konstatojmë se kontrollohet nga Rusia, nëpërmjet tregtisë, nëpërmjet influencës së saj në segmentin e sigurisë, të përmendim edhe një afere, aferën ‘Kleban’, e cila dihet që u plasua në media serbe dhe e mori dheun kur u zu një oficer i sigurisë së BIA-s, sigurimit shtetëror serb, duke marrë para nga një zyrtar i shërbimit sekret rus. Do të thotë, është influenca aq e madhe saqë, mund të konstatojmë se edhe vet Vuçiqi është në ndikim shumë të madh të Putinit.
Imagjinojeni për këto vjet sa është në pushtet, qe 10 vjet, është takuar me Putinin 19 herë, do me thënë përafërsisht i bide dy herë në vjet. Cili prej politikanëve në botë apo cili prej bashkëpunëtorëve të Putinit mund të takohet 2 herë në vjet me të. Unë mendoj është shumë pak numri i njerëzve edh enë Rusi, edhe në ushtrinë edhe në shërbimin sekret rus që mund të takohet me Putinin dy herë në vjet. Aleksandar Vuçiq takohet me të dy herë në vjet, pastaj stërvitjet ushtarake, pastaj lehtësimi i çmimit të gazit, bën favore për shërbime që i nevojiten në terren për ta destabilizuar Ballkanin nëpërmjet të Serbisë, respektivisht nëpërmjet veriut të Kosovës ku veprojnë këto banda kriminale dhe janë të instrumentalizuara tërësisht nga shërbimet sekrete serbe dhe ruse, por qëllimi kryesor është pengesa e NATO-s që të zhvillohet edhe më tej, por edhe karshi Bashkimit Evropian.
Vlen të përmendet fakti, e dimë çka ndodhi në Malin e Zi, ishte një tentim atentati në Gjukanoviqin atëherë, dimë çka ndodhi në Maqedoni, dimë çka ndodhë edhe në shtetet tjera, në Bullgari p.sh, në Hungari etj. Mundësia për destabilizim ekziston gjithmonë dhe shërbimi sekret rus nëpërmjet luftës hibride, nëpërmjet propagandës, bizneseve të pista, shantazheve, etj., mundohet që çdo situatë ta shfrytëzojë në favorin e vet.
Pra, Kosovën e përmend Putini çdo herë për të mbuluar veprimet e veta si për Krime, si për Ukrainë etj., merr shembuj të ndryshëm që nuk qëndrojnë, por ai i përdor në publik për shkak të mbulesës së veprimeve të veta dhe në një lloj të justifikimit të tij para publikut ndërkombëtar.
Mediet ruse, veçanërisht Russia Today dhe Sputnik, po dezinformojnë për nisjen e një lufte nga Kosova për serbët. Si mund të përshkruhet kjo propagandë?
Agim Musliu: Ka shumë të ngjashme të cilat i zhvillon Rusia nëpërmjet Serbisë. Ta zëmë shembull Serbia ka plotësuar rreth 20 mijë artikuj në botë kundër Kosovës dhe lajme të rrejshme të ngjashme prej vitit ‘99 gjerë më sot. Mund ta imagjinoni çfarë numri është, 20 mijë propaganda të ndryshme për çdo ditë. Rusia e bën nëpërmjet platformave të ndryshme televizive, përmendet një prej tyre që kontrollohet nga Putini, radiove të ndryshme, siç është RTV Sputnik, i cili e ka filialin në Beograd, i cili është aq i zëshëm saqë i mund të gjitha mediat në Serbi, por si detaçmant i Sputnikut mund ta përmendim edhe Kosovo Online në Veri të Kosovës.
Është pothuajse Sputniku me një emër tjetër. Dhe nëpërmjet propagandave, nëpërmjet shantazheve, nëpërmjet shpërndarjes së gënjeshtrave, nëpërmjet individëve të ndryshëm, biznesmenëve të ndryshëm, politikanëve të ndryshëm të cilët janë në shërbim të tyre dhe efekti arrihet në mënyrë shumë të efektshme nëse nuk keni instrumente për t’u mbrojtur, se gjithmonë në propagandë, ta sqarojmë këtë, në propagandë apo në lajmin e rrejshëm një 80 për qind është i vërtetë, por në 20 për qind të gënjeshtrës futet në mes ajo që plasohet si propagandë dhe populli apo masa e merr si të qenë. Ka shembuj të shumtë, ka shembuj të përditshëm.
Nëse e shohim se si funksionon e tërë kjo që funksionon si propagandë, ta marrim shembull rastin e fundit e kësaj zonje të moshuar e cila u rrah në Veriun e Mitrovicës dhe kinse u plaçkit. Unë mendoj që është akt për t’u gjykuar dhe ata që e kanë bërë këtë duhet të sillen sa më shpejt para drejtësisë dhe gjyqësisë, por i kemi disa versione të asaj ngjarjeje. Së pari për shembull publikon, strukturoret ngjara, planifikohet nga shërbimi sekret serb dhe rus dhe zbatohet.
Së pari informohen mjetet informuese që janë në ndikimin e tyre, nën kontrollin e tyre, siç është Kosovo Online. Pastaj ndikon dhe reagon menjëherë edhe Zyra për Kosovë, e ashtuquajtura të cilën e udhëheq Petkoviq. Pastaj, reagon vetë Vuçiqi, i cili e shtyn këtë çështje edhe më tutje, pastaj reagon edhe Zaharova nga Moska dhe menjëherë alarmohen instrumentet ndërkombëtare siç janë Kombet e Bashkuara, OSBE, etj. Do me thënë, një problem i gatuar, që në të kaluarën keni parë shumë skenarë, plasohet dhe pretendohet që ka ndodhur dhe në anën e shqiptarëve kërkohet gjithmonë fajtori. E mora një shembull banal, i cili ka ndodhur apo s’ka ndodhur duhet të vërtetohet, por po e shohim pikturën e madhe.
Por edhe nëpërmjet platformave të komunikimit, Twitter, Facebook etj., me emra të rrejshëm, me llogari të rrejshme, shpërndanë lajme të rrejshme d.m.th mjafton të mbijetojë disa orë dhe ajo mund të ketë disa vëzhgues ose disa vizitues në Facebook apo në atë site dhe mund të shpërndahet në mënyrë të devijueshme sigurisht.
Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje rreth dokumenteve, ndoshta edhe duke iu falënderuar diplomacisë amerikane. Si e vlerësoni diplomacinë aktive amerikane dhe a mund të ketë një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë pa të?
Agim Musliu: Unë mendoj që pas kësaj situate të re të fillimit të luftës në Ukrainë, e cila ndryshoi shumëçka apo sqaroi shumëçka, unë mendoj që bashkësia evropiane dhe Evropa në tërësi nuk ka fuqi, e ka një lloj frike dhe nuk ka fuqi të mjaftueshme që t’i parirojë Rusisë në çfarëdo mase, sidomos kur varet nga gazi i saj, planin e të cilit nëse kthehemi prapa e shohim që ka qenë Kali i Trojës për Evropën viteve ’90 për ta shantazhuar dhe kushtëzuar më vonë që po shihet sot, por pa Shtetet e Bashkuara unë e shoh të pamundur që të realizohet ky projekt e që quhet njohje reciproke apo një lloj qetësie në Ballkan, sepse vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë atë fuqi dhe e kanë atë ndikim, të cilët janë garantues të një marrëveshjeje të nënshkruar, çfarëdo qoftë ajo si palë e tretë.
Nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë garant të marrëveshjes, të nënshkrimeve të marrëveshjeve për zbatimin e tyre dhe në fund po supozojmë që një ditë Serbia do e njohë Kosovën, atëherë nga shtetet tjera evropiane dhe EU-ja apo BE-ja është lojtar shumë më i dobët dhe më me ndikim në këtë çka ne quajmë politikë dhe është shumë nën ndikim nga Rusia. Edhe si përfundim mund të them se pa SHBA-në si garant i qetësisë dhe lirisë, i zhvillimit të demokracisë në Ballkan, unë mendoj se shumë pak mund të arrihet. /The Geopost/