Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka reaguar pas deklaratave të klerikëve fetarë serbë që i bënë të enjten në festën e Vidovdanit, që u mbajt në Gazimestan.
Musliu kritikoi institucionet vendore që nuk kanë reaguar ndaj deklaratave “Kosova është Serbi” e mbishkrimeve tjera nacionaliste, duke i quajtur të turpshme dhe të papranueshme.
Ajo u bëri thirrje që këto deklarata të qytetarëve serb, të mos të kalohen në heshtje por tu jepet një përgjigje ose nga shteti ose nga populli i Kosovës.
“Provokimet e djeshme që bëri Serbia në mes të Kosovës në Gazimestan po provohet të kalohen në heshtje nga Institucionet tona shtetërore!!! Kjo është e turpshme dhe e pa papranueshme! A kemi ne polic e kontroll kufitare, a kemi ne Shtet? A harruam ne që vetëm pak ditë më parë u maltretuan dhe u bastisën artistët tanë në kufi me Serbinë dhe nuk lejuan të kalojnë kufirin veprat e artit që përmbanin simbole kombëtare! A harruam ne që FIFA vetëm dy -tri ditë me parë dënoj djemtë tanë vetëm pse festuan duke bërë me duar Shqiponjën? Pse neve na ndrydhet e përdhoset identiteti ynë nga secili kudo e kurdo, ndërsa të tjerët lejohen të na vijnë te hunda me provokime të tilla??? Ky provokim nuk duhet të tejkalohet në heshtje! O SHTETI o MILETI duhet t’i jap përgjigje!”, ka shkruar në rrjetin e saj social Facebook, Ganimete Musliu.
Ndryshe, një ditë më parë qytetarët serbë sikur çdo vit tjetër, në Gazimestan kanë festuar Vidovdanin, apo siç njihet ndryshe si “Beteja e Kosovës”, të cilën Serbia e kishte humbur përballë Perandorisë Osmane në vitin 1389.
Pjesëmarrësit në vendin ku në vitin 1389 kishte ndodhur beteja në mes serbëve dhe turqve, kishin veshur bluza me mbishkrime nacionaliste, si, “Kosova është Serbi”, “Kosova e Metohija”, “Nuk e tradhtoj Kosovën”, dhe parulla tjera me përmbajtje urrejtëse.
Po ashtu, qytetarët serbë, të cilët ishin nga të gjitha pjesët e Kosovës, mbanin në duar flamuj të Serbisë, madje edhe të Greqisë. Ata këndonin edhe këngë kushtuar Vidovdanit dhe Kosovës. /Telegrafi/