Telegrafi

Maxhuni raportoi para Komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së, s’ka të reja nga hetimi rreth dëbimit të shtetasve turq

Drejtori i ri i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Shpend Maxhuni ka raportuar për herë të parë pas marrjes së këtij posti, para Komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së.

Pas takimit zëvendëskryetarja e parë e këtij komisioni, Ganimete Musliu tha se në këtë takim janë informuar për gjendjen e sigurisë në vend, e cila siç tha ajo është e qetë.

Sa i përket veriut, tha se problematikat e njëjta vazhdojnë, duke e sfiduar sigurinë dhe në përgjithësi gjendjen e shtetit tonë.

“Mund të konstatojmë që qytetarët e Republikës së Kosovës mund të ndihen të qetë dhe rehat, sepse gjendja e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe konsiderohet jo më e qeta në rajon, por krahasuar dhe me disa vende të BE-së, Kosova vazhdon të jetë vend më i qetë, sa i përket rrethanave të sigurisë në vend. Në Mitrovicë mbesin pothuajse rrethanat e njëjta. Duke pasur parasysh sepse problematikat në veriun e Mitrovicës vazhdojnë dhe më tutje ta sfidojnë ndoshta sigurinë, edhe në përgjithësi gjendjen e shtetit tonë, mirëpo, AKI dhe institucionet e sigurisë dhe policia në këtë rast, janë në nivelin e detyrës dhe po kryejnë punët e tyre të vazhdueshme”, tha ajo.

Ndërsa e pyetur rreth raportimit të drejtorit të AKI-së para komisionit, lidhur me dëbimin e shtetasve turq, Musliu nuk komentoi rreth kësaj çështje.

“Nuk mund të  themi asgjë për opinionin e gjerë dhe publikun. Të gjithë epilogun përfundimtar do ta thotë  komisioni parlamentar i cili ka marrë aprovimin në seancës parlamentare për të hulumtuar këtë rast në detaje”, tha ajo.

Duke e komentuar emërimin e Maxhunit në krye të AKI-së, pasi që ai gjatë dëbimit të turqve nga Kosova ishte në krye të policisë, Musliu tha se emërimi i tij nuk është bërë jashtëligjshëm, pasi që në lidhje me rastin në fjalë, nuk është kërkuar shkarkimi i tij nga posti i të parit të policisë.

Musliu mendon se kjo ishte një zgjedhje kredibile, e cila ofron një përvojë dhe një angazhim që ai ka pasur në të kaluarën.

“Nuk e shoh ndonjë shkelje të ligjit ose ndonjë shkelje të ndonjë rregullore, pse ai është zgjedhur drejtor. Ne i kemi bërë pyetje direkt dhe me zgjedhjen e tij, qoftë për verifikimin ose për gjëra të tjera dhe thjeshtë kemi marrë përgjigjej shumë konkrete dhe shumë të nevojshme nga vet drejtori i AKI-së…Ka pasur spekulime dhe pikërisht këtu kemi këmbëngul si anëtar të komisionit, ta dimë se a e ka kry verifikimin z. Maxhuni. Por duke pasur parasysh që ai ka kohë të gjatë ose përvojë të gjatë në institucionet e sigurisë, u deklarua para komisionit, që ndoshta është mirë dhe për media dhe për qytetarët që ta kuptojnë njëherë e përgjithmonë që ai 18 herë ka kaluar nëpër verifikime dhe të gjitha procedurat i ka kaluar me sukses, kështu që edhe neve na mbetet vetëm që të bashkëpunojmë në të ardhmen dhe të mos ndalemi në gjëra të cilat e pengojnë punën dhe zhvillimin e AKI-së”, tha ajo.

Musliu më tej pohoi se Maxhuni sa ishte në Policinë e Kosovës, ka kryer punën në mënyrën më të mirën të mundshme dhe se imazhi i policisë, nën udhëheqjen e tij ka qenë i mirë. Ndërsa tha se shpreson shumë që këtë imazh ta bartë dhe tek AKI-ja.

Ajo po ashtu tha se Komisioni ka kërkuar nga drejtori i AKI-së, që të kenë një bashkëpunim më të mirë në të ardhmen, pasi që nuk kanë qenë të kënaqur me bashkëpunimin e deritanishëm me këtë institucion.