Rekomandimi i Komisionit për Bujqësi për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, ka nxitur debate të ashpëra mes pozitës dhe opozitës në seancën e Kuvendit të Kosovës.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu reagoi ndaj deputetëve të LVV-së, duke thënë se të njëjtit në fjalimet e tyre harruan të përmendin fitoren e 14 shkurtit.
“Ju e keni harruar shahadetin e Vetëvendosjes, urime 14 shkurtin, fitorja e juaj plebishitare. Jeni shumicë, e kjo është e vetmja e vërtetë në të gjitha arsyetimet e juaja”, u shpreh Musliu.
Ajo i ka propozuar Vetëvendosjes që të thërrasin një seancë ku do të shkarkonin të gjithë bordet.
“Thirrni shkarkoni bordet krejt në një seancë, Kosova është përballë edhe ma herët me veprime të tilla, ju e dini në regjime edhe ma herët. Janë këtu disa më të moshuar se ne edhe e dinë çka ka ndodh në viten e 80. Mos hupni kohë, thirrni një seancë të veçantë, shkarkoni të gjitha bordet, nuk keni fakte nuk keni argumente. Arsyetimi juaj i vetëm janë votat që keni në Kuvend”, tha Musliu. /Telegrafi/