Site icon Telegrafi

Musliu: Arrestimi i gazetarit bjellorus Raman Pratasevich nuk do të ndodhte pa mbështetjen e Rusisë

Gazetari Raman Pratasevich është në paraburgim policor në Minsk, pas kidnapimit të tij në fluturimin e Ryanair, nga regjimi bjellorus i Alekasandar Lukashenkos.

Fluturimi që udhëtonte nga Athina për në Vilnius ishte përgjuar deri sa u detyrua të ulet në kryeqytetin bjellorus të dielën e kaluar.

Pratasevich dhe shoku i tij disident Stepan Putilo bashkëthemeluan kanalin opozitar Nexta Live në platformën Telegram, i cili ka qenë duke mbuluar protestat që shpërthyen në Bjellorusi për shkak të rezultatit të zgjedhjeve presidenciale.

Putilo – i cili e quan veten Stepan Svetlov – dhe Pratasevich, vitin e kaluar u futën në listën e Bjellorusisë të “individëve të përfshirë në veprimtari terroriste”.

Ekipi i vogël Nexta Live është i vendosur në Poloni, por gjithashtu punon ngushtë me disidentët bjellorusë në Lituaninë fqinje.

I menjëhershëm kishte qenë veprimi i Bashkimit Evropian, ku kishte vendosur të ndalojë linjat ajrore bjelloruse nga hapësirat ajrore evropiane pas devijimit të aeroplanit për në Minsk.

Lexo po ashtu BE-ja vendos sanksione të reja ndaj Bjellorusisë pas rastit me gazetarin Raman Pratasevich

Vendet perëndimore me këtë rast e akuzuan Bjellorusinë për rrëmbimin e avionit të linjës Ryanair.

Blloku evropian është duke punuar që të sanksionojë më shumë njerëz dhe kompani që janë të lidhur me regjimin në Bjellorusi. Gjithashtu, në listën e sanksioneve pritet të futen edhe sektorë të mëdha të ekonomisë. Këto sanksione pritet të prezantohen në muajin qershor.

Pas këtij veprimi të BE-së, Putin kishte nënvizuar mbështetjen për Bjellorusinë. Këtë mbështetje, Lukashenko e mori gjatë takimit me presidentin Putin në Soçi të Rusisë.

Sundimi i Lukashenkos i mbështeur nga Putini

Për njohësin e sigurisë, Agim Musliu kjo nuk është hera e parë që Putin i jep mbështetje Lukashenkos.

Musliu shton se regjimi bjellorus edhe në arrestimin e gazetarit Pratasevich është mbështetur nga operacionet ruse.

“Format e tilla të arrestimit janë tipike të shërbimeve ruse. Ajo se si arrestuar gazetari Pratasevich, tregon se regjimi i Lukashenkos vazhdon të mbështetet nga operacionet ruse”, thotë Musliu për Telegrafin.

Eksperti i sigurisë, Agim Musliu

Ai tregon se incidenti i Ryanair nuk do të ndodhte pa mbështetjen e Rusisë.

“Vazhdimisht presidenti rus Vladimir Putin ka qenë përkrahësi i regjimit të Lukashenkos. Shtypja e protestave të opozitës bjelloruse pas rezultatit të diskutuar të zgjedhjeve presidenciale, gjithashtu ishte ndihmuar nga Rusia. Edhe kësaj radhe, padyshim, incidenti i Ryanair, apo arrestimi i disidentit bjellorus nuk do të ndodhte pa mbështetjen ruse”, tregon ai.

Grupi i shtatë vendeve më të zhvilluara të botë kanë dënuar veprimin e Bjellorusisë.

Në deklaratë, ministrat e Jashtëm të Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kërkuan “lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të [Raman Protasevich] si dhe të gjithë gazetarëve dhe të burgosurve të tjerë politikë të mbajtur në Bjellorusi”. /Telegrafi/

Exit mobile version