Telegrafi

Musliu: AKI nuk u tregua inteligjente në rastin e ftesës nga Specialja të Ramadanit

Ganimete Musliu, kryetare e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ka deklaruar se ky institucion nuk është treguar aspak ‘inteligjent’ lidhur me ftesën e Gjykatës Speciale ndaj Burim Ramadanit, inspektor i Përgjithshëm në AKI.

Siç ka thënë Musliu, ky i fundit e ka shfrytëzuar AKI-në për të tërhequr vëmendje publike dhe e ka dëmtuar këtë institucion.

“Ky institucion që fshehtësinë e ka punë të përditshme, çuditërisht lëshoi edhe komunikatë zyrtare lidhur me një ftesë për Ramadanin, rast që siç njoftoi nuk ndërlidhet asgjë me institucionin”, ka shkruar ajo në Facebook.

Lexo po ashtu Specialja e fton për të dëshmuar inspektorin e AKI-së, Burim Ramadani - kërkon nga ai të ofrojë detaje për periudhën e luftës

“Shfrytëzimi i AKI-së nga Ramadani për të tërhequr vëmendje publike në emër të saj e dëmton më së shumti vetë këtë institucion, ku me përkushtim dhe integritet të lartë shërbejnë shumë vajza dhe djem që e duan Kosovën pa politikë, pa hile dhe pa rezerva”.

Tutje, Musliu ka thënë se si Kryetare e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së do të kërkojë zyrtarisht përgjegjësi për “rrëshqitjen” e këtij institucioni në këtë rast.

“Nga Ramadani thjesht është kërkuar ‘të ofrojë detaje në lidhje me lokacionin e tij fizik dhe gjeografik gjatë kohës se luftës dhe të ofrojë dokumentacion përfshirë këtu edhe fotografi dhe të dhëna tjera nga periudha nga 1 janar 1998 deri 31 dhjetor 2000’. AKI-ja nuk është në shërbim të individëve, por në shërbim të shtetit dhe sigurisë së qytetarëve tanë”, ka përfunduar ajo.

Gjykata Speciale ka ftuar Inspektorin e Përgjithshëm të AKI,  Burim Ramadani që të dëshmojë në cilësinë e dëshmitarit.

Kjo është bërë e ditur nga AKI përmes një njoftimi për media.

“AKI njofton opinionin publik se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dërguar fletëthirrje për dëshmitar për Inspektorin e Përgjithshëm të AKI, Burim Ramadani”, u tha në njoftim./Telegrafi/