Site icon Telegrafi

Musk paralajmëron se Starlink në Ukrainë mund të jetë në shënjestër të sulmeve

Elon Musk ka paralajmëruar se ka shumë mundësi që shërbimi satelitor i kompanisë Starlink në Ukrainë të jetë në shënjestër të sulmeve.

Madje, sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, interneti është raportuar se nuk është në funksion në disa zona të vendit.

Kështu Musk tha se përdoruesit duhet “të vendosin kamuflazh të lehtë mbi antenë për të shmangur zbulimin vizual”.

Ai gjithashtu tha se përdoruesit duhet “të ndezin Starlink vetëm kur është e nevojshme dhe ta vendosin antenën sa më larg njerëzve që të jetë e mundur”.

Paralajmërimi erdhi disa ditë pasi një studiues i sigurisë së internetit paralajmëroi se pajisjet që marrin sinjale satelitore mund të bëhen “fenerët” për sulmet ajrore ruse.

Pajisjet e Starlink, të nevojshme për funksionimin e sistemit, u dorëzuan në Ukrainë më 28 shkurt – pas një kërkese të bërë nga qeveria ukrainase. /Telegrafi/

Exit mobile version