Titani i teknologjisë Elon Musk ka dhënë disa deklarata lidhur me kaosin që ngërtheu startupin OpenAI pas shkarkimit të CEO-s, Sam Altman dhe përfundimisht rikthimin e këtij të fundit në kompani pas disa ditësh bisedimesh.
Pavarësisht se ndihmoi në themelimin e OpenAI, Musk gjatë një interviste në Dealbook Summit tha se nuk ka informacione të brendshme për dramën që përfshiu OpenAI me shkarkimin e papritur të Altman, megjithatë u shpreh “i shqetësuar” se çfarë do të thoshte kjo për teknologjinë e Inteligjencës Artificiale, transmeton Telegrafi.
“Kam ndjenja të përziera për Sam-in. Unaza e pushtetit ka kapacitet të korruptojë dikë”, tha Musk duke cituar filmin “The Lord of The Rings”.
Musk shtoi se ai donte të dinte pse bashkëthemeluesi dhe shkencëtari kryesor i OpenAI, Ilya Sutskever “e ndjente të dilte fuqishëm kundër Sam”.
“Kjo tingëllon si diçka serioze. Unë nuk mendoj se ishte e parëndësishme. Dhe jam shumë i shqetësuar se ata kanë zbuluar disa elemente të rrezikshme të Inteligjencës Artificiale”, shtoi ai.
Ende nuk është bërë e qartë pse bordi shkarkoi Altman nga OpenAI. Sidoqoftë, ditë më parë u raportua se inxhinierët në OpenAI kishin bërë një zbulim të madh para se të bëhej shkarkimi i Altman.
Zbulimi kishte të bënte me kapacitetin e AI-s për të zgjidhur probleme matematikore, me një logjikë që mund ta zgjidhte një person me inteligjencë njerëzore.
Kjo do të çonte në “zgjimin” e një super-inteligjence që do të mposhtte edhe inteligjencën njerëzore. /Telegrafi/