Site icon Telegrafi

Musk dërgoi katër vjet më parë një veturë Tesla në hapësirë – por ku është ajo tani?

Katër vjet më parë, raketa më e fuqishme operacionale në botë, Falcon Heavy e SpaceX bëri nisjen inauguruese nga Florida dhe u hodh në hapësirë duke mos mbajtur asgjë tjetër veçse një veture personale Tesla të Elon Muskut.

Vetura e kuqe sportive – në të cilën gjendet një lodër e veshur me kostum hapësinor me nofkën “Starman” – është ende atje, duke rrugëtuar i vetëm rreth diellit.

Vetura nuk është në ndonjë udhëtim shkencor. Kjo ishte një sprovë, kështu që SpaceX kishte nevojë për një ngarkesë të rreme – dhe Musk më parë tha se donte që ajo të ishte “gjëja më e keqe që mund ta imagjinojmë”. Kështu që ai zgjodhi veturën luksoze Tesla, transmeton Telegrafi.

Ditën e hënë, vetura ishte rreth 370 milionë kilometra larg prej Tokës dhe rreth 321 milionë kilometra nga Marsi teksa “lundronte” nëpër hapësirë, raporton cnn.

Gjatë katër viteve të fundit, vetura ka udhëtuar gati 3.2 miliardë kilometra dhe ka përfunduar rreth 2.6 udhëtime përreth diellit, kryesisht përmes një vakumi të shterpë dhe të zbrazët.

Por, ajo herë pas here do t’i afrohet objekteve të tjera qiellore. Në vitin 2020, automjeti për herë të parë iu afrua Marsit – 8 milionë kilometra – ose rreth katër herë sa distanca midis Tokës dhe Hënës.

Sipas të dhënave të NASA-s, vetura nuk ka gjasa të kalojë pranë një planeti tjetër deri në vitin 2035 kur do të kalojë sërish nga Marsi. Më pas do të bëjë dy kalime brenda disa miliona kilometrash nga Toka në vitin 2047 dhe 2050.

Një punim akademik vlerësoi se shanset që vetura të përplaset me Tokën brenda 15 milionë viteve të ardhshme janë rreth 22 për qind. Shanset që ajo të përplaset me Venusin ose Diellin janë secila prej 12 për qind.

Realitetet komplekse dhe të paparashikueshme të udhëtimit nëpër hapësirë e bëjnë të vështirë të parashikohet saktësisht se çfarë rruge do të marrë Tesla.

Nëse vetura përfundon duke marrë një kurs përplasjeje me Tokën, do të duhet të shpresojmë se do të copëtohet ndërsa përplaset përsëri me atmosferën e trashë të Tokës. (Objektet hapësinore që futen në Tokë zakonisht digjen në atmosferë gjatë hyrjes. Goditje të tilla rrallë prekin zonat e populluara).

Fati përfundimtar i veturave ka të ngjarë të mos dihet për shumë miliona vjet. Por nga ana e tij, Musk tha në vitin 2018 se ai shpreson që njerëzit do të kenë vendosur tashmë vendbanime në planetë të tjerë në sistemin diellor dhe “pasardhësit e Musk do të jenë në gjendje ta tërheqin veturën sërish në një muze. /Telegrafi/

Exit mobile version