Në 22 vjetorin e Betejes së Kosharës, presidentja Vjosa Osmani nuk kishte përmendur askund Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Ndaj saj ka reaguar analisti Imer Mushkolaj.
Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, Mushkolaj ka thënë se vetëm Vjosa Osmani mund të shkruajë për betejën e Koshares pa e përmend Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Veç Vjosa Osmani mundet me shkru për Kosharen pa e përmend UÇK-në”, ka thënë Mushkolaj.
Reagime kishte edhe nga opozita.
Deputejta e PDK-së Eliza Hoxha shkroi se vetëm Osmanit nuk ua zë goja asnjëherë të vetme ta përmendë UÇK-në.
Edhe ish-ambasadorja në SHBA, Vlora Çitaku, tha se “Po të mos kishte UÇK nuk do të kishte as FSK”.
Ndërsa nga Presidenca, Bekim Kupina ka thënë se Osmani e ka përmendur UÇK-në në fjalimet e saj dhe nuk ka asnjë telashe.
Ndryshe, Beteja e Koshares më 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, është njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë shënoi jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.
Beteja e Koshares mbetet një nga përballjet e suksesshme të forcave të UÇK-së jo vetëm për bilancin e të vrarëve nga pala e armikut, por dhe me efektin që pati ky sukses në forcimin e besimit të popullsisë së zonës tek UÇK-ja dhe aleatët e saj.
Kjo betejë u bë motiv për shtimin e radhëve të vullnetarëve që i bashkoheshin UÇK-së në front. /Telegrafi/