Telegrafi

Mushkolaj: S’ka entuziazëm mes VV-së e LDK-së, por as në të kaluarën nuk ka pasur mes partnerëve qeverisës

Analisti Imer Mushkolaj, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se pavarësisht deklaratave pozitive nga dy kampet, koalicioni VV-LDK është në krizë.

Mushkolaj, ka thënë se kjo krizë ka ardhur nga mosmarrëveshjet për presidentin e që shton se kjo gjë nuk ishte paraparë si problem mes dy partive para zgjedhjeve.

“Arritja e një kompromisi pa zgjidhur çështjen e presidentin nuk do të jetë i lehtë”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Mushkolaj ka thënë se megjithatë presidenti i ardhshëm nuk duhet të jetë një person që nuk do të ketë fuqi politike.

“Nuk duhet të ndodh si në rastin e presidentes Jahjaga e cila në fillim kishte mbështetjen e të gjitha subjekteve por që më pas nuk doli të jetë ashtu”.

Analisti ka thënë se po shihet që mes LDK-së dhe VV-së nuk ka entuziazëm por sipas tij edhe në të kaluarën gjatë ndërtimit të koalicioneve nuk ka pasur entuziazëm.

Mushkolaj ka thënë se do të ishte mirë që kandidati për president i propozuar nga LDK të pranohej edhe nga Vetëvendosje.

Lexo po ashtu Muja: LDK po kërkon shumë, këto lëshime i bëri Albin Kurti ndaj Isa Mustafës

“Problemi është se ne nuk po e dimë as emrin e personit që do të propozojë LDK-ja…Nëse është ngërçi te presidenti unë jam që të pajtohen, por mirë do të ishte që të tani të dihet emri që në momentin kur do të vjen votimi do të ishte më e lehtë”.

Analisti thotë se mosbesimi mes VV-së dhe LDK-së ka ekzistuar edhe në të kaluarën.

Lexo po ashtu Ahmeti: Albin Kurti nuk është i gatshëm të ndajë pushtetin me LDK-në

“Askush nuk i fut me zor në koalicion këto dy parti…Është absurde që të prishen për një post siç është ai i presidentit”, tha ndër të tjera Imer Mushkolaj./Telegrafi/