Telegrafi

Mushica rrëfen emocionet e të luajturit për Kosovën – përmend sfidat dhe vështirësitë që kishin atë kohë

Ish-gardiani i njohur i shumë ekipeve kosovare, dikur edhe reprezentues i Kosovës, Kushtrim Mushica, ka qenë i ftuar në një podcast të Telegrafit për të diskutuar rreth karrierës së tij të bujshme si futbollist si dhe për sfidën që Kosova e luan ndaj Rumanisë në kuadër të Ligës së Kombeve.

Kosova sot (e premte) me fillim nga ora 20:45 do të jetë nikoqir i Rumanisë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, ndërsa tani para kësaj ndeshje, Mushica ka rrëfyer përjetime personale nga koha kur mbante veshur fanellën e ‘Dardanëve’.

Fillimisht ai ka treguar për emocionet e mëdha që kishte para se të bëhej e ditur se a do të merrte ftesën nga Kosova apo jo, ndërsa tutje ka përmendur edhe kohërat kur ‘Dardanët’ zhvillonin ndeshje ndaj skuadrave të futbollit.

Kujtojmë se ekipe të njohura suedeze si Kalmar, Malmo, Halmstad ishin disa nga kundërshtarët e Kosovës gjatë asaj periudhe.

Tutje, Mushica ka folur edhe për ndeshjen miqësore që Kosova e zhvilloi ndaj Haitit, të parën pas pranimit në FIFA, duke e cilësuar atë si ditë historike e cila bëri që vëmendja e tërë opinionit sportiv në botë t’i kushtohej Kosovës.

Në atë ndeshje Mushica ishte i ftuar nga Kosova, por që nuk pati minuta në këmbët e tij.

Krejt në fund ai nuk la pa përmendur edhe Samir Ujkanin për të cilin tha se ishte një ardhje e madhe për Kosovën duke marrë parasysh bagazhin e tij si një ish-portier i Shqipërisë i cili gjatë asaj kohe luante në Serie A.

Videon e plotë të podcastit të Kushtrim Mushicës mund ta ndiqni më poshtë: