Site icon Telegrafi

Murtezani nga Mali i Zi: BE-ja ta kthejë besimin për integrim

Ministri për Eurointegrime, Orhan Murtezani, është për vizitë zyrtare në Mal të Zi. Pos takimeve me politikanët e këtij vendi, Murtezani ka marrë pjesë edhe në forumin për integrimin ballkanik.

Duke folur për detyrat e brendshme që duhet t’i kryejë vendi ynë për integrim, i pari i integrimeve ka theksuar edhe nevojën e forcimit të besimit të qytetarëve në Union. Nëse dikur ka pasur entuziazëm për integrimet evropiane, sot ka pakënaqësi për ëndrrën evropiane.

Për Maqedoninë e Veriut dhe Ballkanin Perëndimor, Bashkimi Evropian nuk duhet të shihet si iluzion dhe BE-ja të punojë në mënyrë që Ballkani mos ta humbë interesin, ka potencuar Murtezani.

“Është me interes strategjik që të sigurohet  mos humbja e besimit të Ballkanit Perëndimor në projektin evropian, duke përfshirë integrimin e Ballkanit Perëndimor brenda Unionit. Nuk është vetëm çështje e shtrirjes politike, por është imperativ moral, angazhim për paqe, demokraci dhe për të ardhmen e qytetarëve tanë. Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të punojë në këtë rrugëtim me përkushtim, por është koha që Unioni Evropian ta rikthejë besimin e qytetarëve dhe të sigurojë se vizioni i  Evropës së Bashkuar ka mbetur i gjallë.”, – theksoi ministri për Eurointegrime, Orhan Murtezani.

Bashkëpunimi rajonal dhe aspiratat e përbashkëta kanë qenë në fokus edhe në takimin e Murtezanit me ministrin e Jashtëm malazez, Ervin Ibrahimoviq.

Stabiliteti dhe zhvillimi rajonit është i rëndësishëm dhe kjo arrihet përmes implementimit të reformave, sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, është konstatuar në bisedën e ministrit për Eurointegrime me politikanët malazez.

Exit mobile version