Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Valon Murtezaj, ka thënë se Kosova duhet të jetë kreative me propozime që do të mund ta sjellin njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, sipas tij gjithmonë duke e respektuar kushtetutën e vendit.
Murtezaj, ka thënë se vizita e delegacionit amerikan në Kosovë është shumë e rëndësishme.
Ai në emisionin “Five”, të RTV Dukagjinit shtoi se, mesazhet që ata i dhanë në vizitën e fundit, janë të qarta, dhe se Kosova duhet të jetë e vëmendshme ndaj tyre.
“Kjo vizitë është e nivelit të lartë, janë njerëzit më të afërt të sekretarit Blinken. Ardhja e tyre në këtë moment, dhe nga ajo çfarë kemi dëgjuar prej tyre, por edhe nga ambasada, mesazhet janë të qarta, mund të nxjerrim fjalë kyqe nga ta. Është përkrahja e SHBA-së, përfshirja e tyre në dialog, është shumë e rëndësishme”, ka deklaruar Murtezaj.
Sipas zyrtarit të LDK-së, fajin kryesor për ngecjen e dialogut e ka Serbia.
Murtezaj ka thënë se qasja destruktive e shtetit serb po e pengon një marrëveshje të mundshme.
Por që sipas tij, edhe Kosova e ka përgjegjësinë e saj, ai ka theksuar nevojën e propozimeve të reja gjithmonë sipas tij duke e respektuar kushtetutën e Kosovës, për ta arritur një marrëveshje përfundimtare.