Telegrafi

Muriqi flet për objektivat e Fenerbahçes: Duam Kupën e Turqisë, ofertat më motivojnë

Vedat Muriqi është një prej futbollistëve më të përfolur të Superligës së Turqisë.

Sulmuesi prizrenas ka shfaqur paraqitje të mira në sezonin e parë te skuadra e Fenerbahçes duke shënuar 15 gola dhe asistuar pesë herë.

Para rikthimit të kampionatit pas ndërprerjes shkaku i pandemisë globale Covid-19, shtatgjati ka folur për mediat turke, ku ka thënë se është koncentruar te skuadra aktuale pavarësisht ofertave.

“Para vetës kemi ndeshje të rëndësishme. Jemi të vetëdijshëm se nuk jemi aty ku dëshirojmë, por do të mundohemi të bëjmë paraqitje të mira. Premtojmë se Kupën do ta fitojmë ne”.

“Ofertat që vijnë në adresë të çdo futbollisti janë motivuese. Por, unë ende se kam përfunduar misionin te Fenerbahçe. Mezi po pres të rikthehemi në fushë dhe të vazhdojmë ku kemi mbetur”, tha 26-vjeçari.

Theksojmë se për sulmuesin ka bërë ofertë konkrete skuadra angleze e Burnleyt gjersa janë interesuar edhe Tottenham Hotspur, Lazio e disa skuadra tjera evropiane.

Ndryshe, kampionati turk do vazhdojë gjatë javës së ardhshme dhe të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në gjashtë stadiumet që gjenden në qytetin e Stambollit. /Telegrafi/