Telegrafi

Muriqi flet për fitoren ndaj Lituanisë, thashethemet rreth Fenerbahces dhe të ardhmen me Lazion

Vedat Muriqi (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Vedat Muriqi është ndarë i kënaqur me fitoren e Kosovës ndaj Lituanisë, teksa ka folur edhe për të ardhmen e tij me klube.

Përfaqësuesja e Kosovës ka fituar me rezultat të thellë 4-0 ndaj Lituanisë në ndeshjen miqësore të zhvilluar në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë.

Golat në këtë përballje për Dardanët u shënuan nga Arbër Zeneli (27’, 71’), Vedat Muriqi (63’) dhe Besar Halimi (79’).

Lexo po ashtu Challandes i lumtur përgjithësisht me lojën dhe fitoren ndaj Lituanisë, flet edhe për përballjen me Suedinë

“Kam filluar ta marrë veten, po ndjehem në formë shumë të mirë fizike. Kanë mbetur edhe 10 ndeshje atje, do të japim maksimumin. Sa i përket Kosovës, këtu është shtëpia ime, ndjej më shumë vetëbesim”, ka thënë fillimisht Muriqi pas ndeshjes.

“Ne jemi në një nivel shumë më të lartë sesa Lituania, kemi lojtarë me kualitet të lartë dhe kemi një skuadër kompakte. Kryesorja është që mezi presim që të grumbullohemi dhe të jemi të gjithë bashkë, kjo po shihet në fushë. Kemi shumë raste, mirëpo ndodhin që të humbim ndeshje”.

“Një rikthim te Fenerbahce. Kam kontratë 5 vjeçare me Lazion, ka investuar klubi një shumë prej 18 milion. Fenerbahce është shtëpia ime, nuk di ç’të them. Është puna e klubesh, unë kam kontratë. Nuk di çfarë të them”.

I pyetur nëse është i lumtur te Lazio, ai u përgjigj: “Po, jam i lumtur, thjeshtë kam problem adaptimin në vitin e parë. Shpresoj që vitin e ardhshëm të bëjë atë çfarë kam bërë më herët”, përfundoi sulmuesi prizrenas. /Telegrafi/