Një mbyllje e pjesshme e qeverisë amerikane do të vazhdojë deri pas Krishtlindjes, me asnjë marrëveshje në horizont për zgjidhjen e ngërçit mbi shpenzimet e buxhetit.
Senati, që duhet të miratojë marrëveshjen, e ka shtyrë tani mbledhjen e tij deri të enjten, ndërkohë, presidenti Donald Trump do të qëndrojë në Uashington për periudhën e festave, pasi ka anuluar udhëtimin në Florida.
Mbyllja e qeverisë nisi mesnatën e së premtes, pasi demokratët refuzuan kërkesën e Trumpit për pesë miliardë dollarë për ndërtimin e murit të premtuar prej tij në kufirin me Meksikën.
Ai paralajmëroi se do të kishte një përballje të fortë, ndërsa demokratët në anën tjetër e paralajmëruan se duhej të braktiste planet për murin.
Sidoqoftë, zëvendëspresidenti Mike Pence nënvizoi se negociatorët po vazhdojnë bisedimet.
Nëntë nga 15 departamentet federale, përfshirë Departamentin e Shtetit, atë të Sigurisë së Brendshme, Transportit, Bujqësisë dhe Drejtësisë, nisën mbylljen e pjesshme, pasi financimet për to u bllokuan mesnatën e së shtunës.
Qindra e mijëra punonjës federalë do të duhet të punojnë pa pagesë, ose do të qëndrojnë në shtëpi. Kjo është hera e tretë që financimet federale amerikane bllokohen këtë vit, edhe pse dy herët e tjera ishin të shkurtra. /Telegrafi/