Pasi u bë e ditur se njëri nga manjatët më të fuqishëm mediatik, Rupert Murdoch, po shkurorëzohej nga gruaja e tij, Jerry Hall, në disa media britanike u shfaqën teori të ndryshme, disa prej të cilave kishin të bënin me “diferencën në moshë” dhe “pirjen e duhanit” të modeles.
Sipas Daily Mail, ka shumë mundësi që vendimin për t’u divorcuar ka mundur “ta përshpejtojë” shprehia e saj e duhanpirjes.
Burime pranë tyre thanë se 91-vjeçarit nuk i pëlqente afeksioni i gruas së tij për duhanin dhe shpesh vihej re në publik se si i shmangej asaj kur konsumonte cigare.
Sipas miqve të tyre, martesës i dha fund Murdoch, sepse krahas diferencës së madhe në moshë (modelja nga Teksasi së shpejti do ta festojë ditëlindjen e saj të 66-të), ata kishin stile të ndryshme jetese.
Murdoch dhe Hall ishin një lidhje dashurie për pesë muaj, para se të martoheshin në mars të vitit 2016.
Ky është divorci i katërt i manjatit, i cili ka gjashtë fëmijë nga tre martesat e tij të mëparshme. Ndërkohë, Hall mbahet mend për lidhjen e saj shumëvjeçare me Mick Jagger, me të cilin ka katër fëmijë. /Telegrafi/