Telegrafi

Murati thotë se tani duhet të diskutohet se cila është rruga që Kurti do të ndjekë karshi dialogut

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka deklaruar se pas takimit të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani në Washington, tani temë diskutimi duhet të jetë rruga që Qeveria do të ndjekë karshi dialogut me Serbinë.

Sipas tij, takimi i dy krerëve më të lartë të shtetit me sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken, është jo vetëm dinjitoz, por edhe adekuat.

“…duke pasur parasysh se Departamenti i Shtetit nga të gjitha strukturat qeveritare të SHBA-ve merret më së shumti me Kosovën në përgjithësi dhe me dialogun në veçanti. Tani, temë e debatit në shoqërinë tonë, në media e politikë do të duhej të ishte cila do të jetë rruga që kryeministri dhe qeveria do të marrin karshi dialogut me Serbinë”, ka shkruar Murati në Facebook.

“A po futen në rrugën e zbatimit të marrëveshjeve të kaluara apo kryeministri po do të blej ende kohë (nëse ka sa i përket dialogut)? Nëse qasja është zbatimi i marrëveshjeve të kaluara me Serbinë, përfshirë asociacionin a nënkupton kjo njohje nga Serbia dhe mbi të gjitha një Kosovë funksionale?”.

Mosfutja në rrugën e zbatimit të marrëveshjeve paraprake sipas Muratit, Kosovën e çon në bisedime të pafundme herë teknike e herë politike, “në të cilat Kosova përmes ‘qasjes konstruktive’ do të ngecet në realizimin e marrëveshjeve të shumta të copëzuara”.

“Apo mos kryeministri do ta shfrytëzojë këtë moment të mirë politik (si dhe legjitimitet të madh që e ka brenda Kosovës) për ta përmbysur kornizën e bisedimeve, për t’u vendosur në ofensivë dhe duke hequr vellon e popullistit profesionist e duke u shndërruar në burrështetas, të kërkojë guximshëm zgjidhjen e problemeve të mëdha me Serbinë e mbi të gjitha atë të veriut të Kosovës dhe të Kosovës Lindore përmes zbatimit të reciprocitetit?”.

Tutje, ai ka thënë se vazhdon të jetë skeptik se kryeministri do ta ndjek rrugën e “guximshme”.

“Të gjitha të tjerat çojnë prapë o në status quo, o në Kosovë edhe më jo funksionale se kjo e sotmja”. /Telegrafi/