Site icon Telegrafi

Murati replikon me opozitën: Rreth një mijë biznese të reja u regjistruan çdo muaj gjatë vitit 2024

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se gjatë vitit 2024 janë regjistruar 8,021 ndërmarrje të reja në Kosovë për 8 muajt e parë të vitit.

Ai tha se, bazuar në këtë dinamikë, pritet që deri në fund të vitit të regjistrohen rreth 12 mijë ndërmarrje të reja.

“Sipas ASK-së, gjatë vitit 2023 janë shtuar 9,807 ndërmarrje të reja neto, pra 11,409 ndërmarrje të regjistruara të reja dhe 1,602 ndërmarrje të shuara.
I njëjti trend ka vazhduar edhe në vitin 2024, ku për 8 muajt e parë kemi 8,021 ndërmarrje të reja të regjistruara, apo mesatarisht 1 mijë regjistrime të reja në muaj. Kjo na bën të besojmë që deri në fund të vitit do të kemi rreth 12 mijë ndërmarrje të reja të regjistruara”, ka shkruar Murati.

Sipas Muratit, këto shifra tregojnë një rritje të vazhdueshme të regjistrimit të bizneseve, duke iu referuar edhe statistikave të vitit 2023.

“Këto janë faktet,” tha ministri, duke kritikuar opozitën për pretendimet e saj se në vitin 2023 ka pasur rënie të numrit të bizneseve.

Sipas tij, këto shifra tregojnë një trend pozitiv dhe mbështesin përpjekjet për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë së vendit./Telegrafi/

Exit mobile version