Telegrafi

Murati: Nuk do të ketë dokument konkret nga Samiti i Berlinit për dialogun Kosovë-Serbi (Video)

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), Valon Murati në një intervistë për emisionin “Përballje ditore”, me gazetarin Muhamet Hajrullahu ka folur për rëndësinë e Samitit të Berlinit, për procesin e dialogut, Kosovë-Serbi për taksën dhe për zhvillimet politike në vend.

Murati ka thënë se ekziston një zbehje e rolit të Bashkimit Evropian (BE) në Ballkan si dhe një tërheqje e tyre duke u bazuar në problemet që janë krijuar brenda vet shteteve të BE-së.

Sipas tij, Samiti i Berlinit ka një rol të rëndësishëm, mirëpo siç tha ai nuk do të ketë ndonjë rezultat konkret nga ky takim.

“Takimi e ka një rol të rëndësishëm për Bashkimin Evropian dhe perspektivën e saj. Kemi një zbehje të rolit të BE-së në Ballkan dhe një tërheqje…Tërheqja është në bazë të telasheve që kanë shtetet si rritja e së djathtës dhe ajo e imigracionit. Në rastin e  Kosovës kemi një rënie të ndikimit. Nuk besoj që do të ketë rezultat konkret në Samitin e Berlinit, por do të ketë shtrirje të rrugës që procesi i dialogut të fuqizohet, nuk pres dokument”, ka thënë ai.

Valon Murati në një intervistë gjatë emisionit “Përballje ditore” në Telegrafi.com  /Foto: Ridvan Slivova/

Murati theksoi se dy shtetet e fuqishme si Gjermania dhe Franca nuk e  kanë mendimin e njëjtë për korrigjimin e kufijve.

“Franca është pro korrigjimit. Puna me taksën është një vendim i drejtë në raport me Serbinë. Taksa nuk do duhej të dëmtonte marrëveshjen finale. Në Berlin do të ketë presion. Kishim një qëndrim të presidentit Thaçi, ku tha se takimi do të jetë formal. Në këtë samit do të përshëndetet marrëveshja Maqedoni – Greqi, dhe do të jepet një shtytje e Kosovës. Nuk pres çudira, mrekulli, projekte nga ky samit”, u shpreh Murati.



Ai po ashtu tha se për momentin Kosova me këtë Kushtetutë që ka është një shtet jo funksional, andaj siç tha ai duhet të bëhet ndryshimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ridefefinimi i kufijve të Kosovës duke përmendur edhe bashkimin e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit me Kosovën dhe në anën tjetër bashkimin e Leposaviqit,  Zveçanit dhe Zubin Potokut me Serbinë pa fshatrat shqiptare.

Lexo po ashtu Murati: Nuk duhet ta marrim me shaka letrën e presidentit Trump dërguar Kosovës e Serbisë (Video)

“Ne tash kështu si jemi, jemi një shtet jo funksional. Po e shihni se si po funksionon veriu i Kosovës.  Serbia ka mundësi përmes Kushtetutës së Kosovës të na bëj si shtet jo funksional. Jemi duke fol për një situatë të marrëveshjes. Çka kam dëgjua unë prej që u hap çështja e kufijve jam i befasuar, që të përdoren teza si rrezik që të ketë luftë, rrezik shtetësia e Kosovës…”, tha ndër të tjera ai. /Telegrafi/