Ministri i Financave, Hekuran Murati ka reaguar ashpër pasi në Kuvend nuk u miratua marrëveshja ndërkombëtare për reformën e sistemit të ndihmës sociale.
Murati ka thënë se marrëveshja e nënshkruar me Bankën Botërore në vlerë 47 milionë euro për skemat sociale, nuk kaloi pasi LDK votoi kundër kësaj marrëveshje, transmeton Telegrafi.
“LDK sapo bëri histori në Kuvend! Është hera e parë që një marrëveshje financiare ndërkombëtare rrëzohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Marrëveshja e nënshkruar me Bankën Botërore kishte për synim reformimin e skemës së ndihmës sociale për të targetuar sa më mirë dhe përfshirë familjet në nevojë, që është aq e nevojshme sidomos në këto kohë”, ka pohuar ai.
Ministri ka njoftuar se “projekti kishte synim ndërtimin dhe integrimin e sistemeve që këto familje të mbështeteshin drejt integrimit në tregun e punës, ashtu që mbështetja sociale të ishte e përkohshme, dhe të shërbente si fazë kalimtare deri në punësimin e tyre”.
“Nga kjo marrëveshje do të përfitonin dhjetëra mijëra familje. Në të kaluarën, ka pasur raste kur marrëveshjet ndërkombëtare nuk kanë kaluar duke mos marrë kuorumin e nevojshëm prej 80 votave, gjë që ka nënkuptuar se janë shtyrë për seancën e radhës, por asnjëherë nuk ka ndodhur që ato të rrëzohen kështu si bëri LDK sot. Por ja që LDK votoi kundër, dhe e rrëzoi”, thotë Murati në reagimin e bërë në Facebook.
Ndryshe, me vetëm 75 vota për, Kuvendi i Kosovës dështoi të miratoi marrëveshjen ndërkombëtare për projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale në vend.
E njëjta u konsiderua e nevojshme nga Qeveria Kurti dhe u përkrah edhe nga dy partitë opozitare, PDK dhe AAK, mirëpo u kundërshtua nga LDK. /Telegrafi/