Telegrafi

Murati: Kosova s’u lejua në konferencën e donatorëve në Bruksel pa fusnotë

Ministri i Financave dhe i Transfereve, Hekuran Murati, nuk ka mundur të marrë pjesë në një konferencë të donatorëve në Bruksel, për të prekurit nga tërmeti në Turqi dhe në Siri.

Murati ka bërë të ditur se nuk është pranuar përfaqësimi i Kosovës pa fusnotë.

Siç njoftoi në llogarinë e tij në Twitter, ai ka ndërruar tre aeroplanë për të arritur në Bruksel, por që i është refuzuar pjesmarrja.

“U dashtë ndërrimi i tre aeroplanëve për të arritur sot në Bruksel për të marrë pjesë në konferencën e donatorëve në mbështetje të njerëzve të Turqisë dhe Sirisë të prekur nga tërmetet shkatërruese. Qeveria e Kosovës dëshiron të zotohet për mbështetje financiare dhe të jetë pjesë e të gjitha përpjekjeve ndërkombëtare për të ndihmuar”, ka shkruar ministri i Financave dhe i Transfereve.

“Fatkeqësisht, vendi im nuk mundi të merrte pjesë dhe të kontribuonte për shkak të trajtimit jokorrekt dhe diskriminues nga organizatori, i cili këmbënguli në përdorimin e fusnotës në kundërshtim me shkronjat e marrëveshjes fillestare të Brukselit, dhe frymën e konferencës së sotme”, ka thënë Murati.

Për këtë ka reaguar edhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi.

Ai ka thënë se Republika e Kosovës është treguar bujare në ndihmën e saj për të prekurit nga tërmetet shkatërruese të muajit të kaluar, andaj thekon se është e padrejtë si dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit dhe karakterin e kësaj konference.

“Kosova është një partner i besueshëm për aleatët e saj, organizatat ndërkombëtare dhe iniciativat e përbashkëta. Ndihma dhe mbështetja jonë u pamundësua sot nga organizatori”, tha Bislimi. /Telegrafi/