Ministri i Financave, Punës dhe Tranfereve, Hekuran Murati, gjatë seancës ku mbahet debati për krizën energjetike, ka ftuar prokurorinë ta hetojë kontratën, siç tha ai të lirë të ndërmarrjes ‘Ibër Lepenci” për shitjen e rrymës në këtë kohë krize.
Ai tha se duhet verifikuar se kush e ka nënshkruar kontratën korruptive dhe çfarë procesi është zhvilluar.
“Në lidhje me angazhimin e prokurorisë pajtohem që prokuroria do të duhej të fillonte hetimet për ndërmarrjen publike ‘Ibër Lepenci’ dhe kontratën që është nënshkruar për shitjen e energjisë nga Ujmani me çmim 38 euro. Duhet shikuar se kush e ka nënshkruar atë kontratë dhe çfarë procesi është zhvilluar në atë kontratë korruptive. Kur ne blejmë me çmim marramendës, kurse energjinë e që e prodhon Ujmani shitet me çmim 38 euro me MWh”, u shpreh Murati.
Gjatë debatit, deputetët e partive në opozitë kanë akuzuar kryeministrin Albin Kurti për krizën energjetike. Madje, deputetet e LDK-së dhe ata të AAK-së kanë deklaruar se pas krizën energjetike duhet ndodhë edhe shkarkimi i Qeverisë Kurti.
Ndërkq, kriza energjetike tash e disa ditë ka prekur vendin tonë, ku qytetarët po përballen me reduktime të energjisë elektrike.
Në anën tjetër, Kurti ka premtuar se do të ndërmarrin të gjitha masat që të tejkalohet kriza dhe të mos ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike. /Telegrafi/