Telegrafi

Murati: Demarkacioni duhet të shkojë në arbitrazh

Lëvizja për Bashkim është pjesë e Qeverisë Mustafa, por jo gjithherë pajtohet me qëndrimet e Ekzekutivit, veçmas për dy marrëveshjet, të cilat çuan në krizë politike.

Kryetari i kësaj partie, Valon Murati, i cili njëherësh është edhe ministër i Diasporës, në koalicionin PDK-LDK, ka thënë se marrëveshja për demarkacion duhet të shkojë në arbitrazh ndërkombëtar, për shkak të transparencës së munguar në këtë proces.

Lëvizja për Bashkim është edhe kundër themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, por që ky mekanizëm tashmë është pjesë e sistemit juridik, që siç ka thënë Murati e bën të domosdoshëm që statuti të hartohet në përputhje me Kushtetutën dhe rekomandimet e gjykatës.

Në intervistën dhënë “Kohës Ditore”, Murati ka shtruar nevojën e një platforme të re të dialogut me Serbinë, i bazuar në reciprocitet, ku do të përfshihej edhe pozita e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Sa i përket opsionit për zgjedhje të reja si mundësi për dalje nga kriza, Murati ka theksuar se vetëm pas një reforme serioze zgjedhore do të mund të flitej për afatin e zgjedhjeve. Në intervistë Murati ka folur edhe për Gjykatën Speciale, bashkimin kombëtar, rolin e diasporës e rrezikun nga ekstremizmi fetar.