Site icon Telegrafi

Masat ndëshkuese nga BE-ja, Murati: Opozita po mban të bllokuara 150 milionë euro

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka fajësuar opozitën për bllokimin e fondeve të dhëna nga Bashkimi Evropian.

Sipas Muratit, opozita është ajo që për muaj të tërë po mban të bllokuara marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës.

“Opozita qenka ankuar se pse Kosova ende nuk është bërë pjesë e Programit Evropa Digjitale të BE-së. Mirëpo është e njëjta opozitë që me muaj të tërë po mban të bllokuara marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvend, pa asnjë arsye të vlefshme”, shkruan Murati në Facebook.

Ai shton se janë 150 milionë euro të bllokuara.

“Janë gjithsej afro 150 milionë euro të bllokuara nga opozita: 25 milionë euro marrëveshja me KfW për investime në rrjetin e transmisionit të energjisë elektrike; 84 milionë euro projekti i Ngrohjes Qendrore Solare, i financuar me grante nga Gjermania, grante nga BE, dhe kredi nga BERZH; dhe 40 milionë dollarë marrëveshja me Fondin Zhvillimor të OPEC, mjete që planifikojmë t’i investojmë në infrastrukturë sportive, për t’u bërë gati për Lojërat Mesdhetare”, përfundon ai.

Lexo po ashtu Kosova jashtë programit 7.5 miliardësh të BE-së, Qeveria konfirmon pezullimin

BE-ja ka vendosur disa masa ndaj Kosovës, për shkak se ka konsideruar se nuk janë ndërmarrë veprime për shtensionim të situatës në veri të vendit.

Kosova ka mbetur jashtë programit 7.5 miliardë euro të BE-së. Lënien e Kosovës jashtë këtij programi e ka konfirmuar Ministria e Ekonomisë.

“Sipas njoftimit të pranuar nga Drejtoria e Përgjithshme për Rrjetet, Përmbajtjen dhe Teknologjinë e Komunikimeve, data e nënshkrimit të marrëveshjes mes Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian është shtyrë”, ka thënë Ministria e Ekonomisë. /Telegrafi/

Exit mobile version