Gjilani ka arritur të rikthehet te fitoret në BKT Superligë, pasi ka mposhtur Ulpianën me rezultat të pastër 2-0.
Gerhard Progni dhe Shend Kelmendi me golat në pjesën e dytë u përkujdesën për fitoren e skuadrës së Ismet Munishit.
Pas ndeshjes trajneri i Gjilanit është shprehur shumë i lumtur me tri pikët, teksa ka lavdëruar edhe futbollistët e tij.
“Ne luajtëm mirë në dy pjesët, Ulpiana ishte në nivel në pjesën e parë, mundën të na dënonin në disa momente nëse do vepronin më mirë”
“Ulpiana e ka tranzicionin shumë të mirë, mirëpo sot ne krijuam shumë raste, kishim aksione të rrjedhshme me ritëm të mirë”, tha Munishi.
Tutje Munishi ka lavdëruar edhe paraqitjen e futbollistëve të tij në përballje me Ulpianën.
“Më vjen mirë që shënoi Shend Kelmendi pasi ishte ndër lojtarët më të mirë në ndeshje. Edhe për Edison Kqikun më erdhi mirë pasi bëri një paraqitje të mirë ashtu si edhe Arion Ymeri që ishte shumë i sigurt”, deklaroi Munishi.
Me këtë fitore Gjilani shkon në kuotën e 46 pikëve dhe zë vendin e dytë në Superligë, derisa Ulpiana mbetet e parafundit me 22 pikë. /Telegrafi/