Trajneri i Gjilanit, Ismet Munishi është ndarë i kënaqur me fitoren e ekipit të tij ndaj Drenicës, teksa ka folur edhe për akuzat e drejtuara nga homologu Tahir Lushtaku.
Gjilani fitoi me rezultat të ngushtë 2-1 në shtëpi ndaj Drenicës, për t’i rrezuar drenicasit nga froni që e mbajtën për disa javë.
Pas kësaj fitore ka folur edhe trajneri Munishi, i cili ndihet i lumtur me rezultatin, teksa nuk ka hezituar ta përgëzoj edhe Drenicen për futbollin e luajtur.
“Me të vërtetë më gëzon shumë kjo fitore, e kemi cilësuar si ndeshje të vështirë. Drenica ka qenë lider me meritë deri tani. Ka luajtur futboll më të mirë sesa të gjithë, e patëm shumë të vështirë sot”, ka thënë fillimisht Munishi pas ndeshjes.
“I kemi pas dy probleme kryesore, skuadra ka arrit në atë nivel që e kemi komfort të luajmë si të duam. Ne po dimë t’i godasim kundërshtarët në kundërsulme. Kur e keni një portier sikurse Koliçi puna është shumë më e lehtë”.
“Tash e tutje duhet të përmirësohemi duke luajtur mirë, duke luajtur futboll sulmues dhe të grumbullojmë sa më shumë pikë”.
Në fund, Munishi u përgjigj edhe për akuzat e trajnerit të Drenicës, Tahir Lushtaku, i cili e cilësoi si asistent të gjyqtarit.
“Kam marr epitete të ndryshme nga shumë trajnerë. Drenicën e vlerësojë shumë, gjyqtarët i kemi që nuk ndikohen”.
“Kam respekt për Tahirin, na ka befasuar të gjithëve, e kam mik të mirë dhe e pranoj këtë epitet. Nëse përveç Gjilanit, e kom një skuadër simpatike, ajo është Drenica”, përfundoi trajneri i Gjilanit. /Telegrafi/