Site icon Telegrafi

Munishi i lumtur me fitoren e Ballkanit, por konfirmon lëndimin e dytë në skuadrën e tij

Ballkani ka gjetur më në fund rrugën deri tek fitorja, pas dy barazimeve radhazi që mori me rikthimin e futbollit kosovar që ishte ndërprerë nga mesi i muajit mars nga coronavirusi.

Trajneri Ismet Munishi u shpreh mjaftë i kënaqur me lojën që bëri skuadra e tij në fitoren 3-1 ndaj Trepçës ’89 në kuadër të javës së 25-të.

Por, kjo fitore sa e ëmbël për suharekasit, ka qenë edhe aq e hidhur, pasi kanë humbur edhe mbrojtësin Visar Berisha, ndërsa do të mbesin për një kohë të gjatë edhe pa Arbër Hoxhën.

Lexo po ashtu Ballkani fiton bindshëm ndaj Trepçës '89, i qëndron afër Prishtinës dhe Dritës

“Emocionalisht lëndimi i Arbërit na ka goditë si skuadër. Kualiteti i tij nuk diskutohet, ende nuk e dimë shkallën e dëmtimit ne i kemi marrë gjitha masat si klub që ta mbështesim”, ka thënë Munishi për Super Sport Kosova.

“Ai do ta ketë mbështetjen absolute, çfarëdo lloj lëndimi që del. Po ashtu i lënduar është edhe kapiteni i skuadrës Visar Berisha. Ende nuk e dimë shkallën e lëndimit dhe duhet të presim për të parë se kur do të kthehet në fushën e lojë”.

“Pjesën e parë them të drejtën na vunë në vështirësi disa herë 89-shi. Deri në fund rezultati ishte 1:1 pra deri 15 minuta para fundit, kur shënuan dhe u zhbllokuam. Pamë lojë atraktive nga Trepça ’89, ata nuk erdhën që të mbrohen, krijuan raste, shënuan gol”, përfundoi strategu i Ballkanit.

Skuadra nga Theranda vazhdon të jetë në garë për titull, pasi gjendet në vendin e tretë me 49 pikë, një pak se Prishtina dhe dy më pak se lideri Drita. /Telegrafi/

Exit mobile version