Gjilani dhe Prishtina kanë ndarë pikët në kryendeshjen e xhiros së 13-të në BKT Superligë.
Pas 90 minutave të zjarrta në stadiumin e qytetit në Gjilan, ndeshja përfundoi me rezultat të barabartë 1-1.
Trajneri i Gjilanit, Ismet Munishi ka mbetur i kënaqur me lojën e ekipit të ti.
“Jam shumë i kënaqur me lojën, edhe në pjesën e parë dhe në të dytën luajtëm mirë, më dhimbset ajo situatë tek goli, por këto interpretimet po i bëjnë kush si po dëshirojnë, s’po du me komentuar më shumë”, tha fillimisht Munishi për Art Sport.
Tutje trajneri i bardhekuqve ka deklaruar se janë ndëshkuar në tre derbi nga gjyqtari Dardan Çaka.
“Në të gjitha ndeshjet derbi po luajmë me një lojtarë më pak, është pak e tepërt, nuk besoj që ka qenë karton i kuq, është kartoni i tretë që po e marrim prej Dardanit (Çaka), ai ka lujtë vet futboll dhe duhet ta ndjejë më shumë lojën”, përfundoi Munishi.
Gjilani me këtë pikë të fituar ngritët në vendin e dytë me 22 pikë, derisa Prishtina mbetet në vendin e gjashtë me 17 pikë.
Ndeshjen e radhës Gjilani do ta luaj në udhëtim te Ulpiana, ndërsa Prishtina para tifozëve të vet pret Dukagjinin e Klinës. /Telegrafi/