Site icon Telegrafi

Munishi: Fituam me fat pasi Dukagjini bëri një ndeshje të mirë

Ismet Munishi (Foto: Lumi HD)

Gjilani ka marrë një fitore të madhe në kuadër të xhiros së 21-të në BKT Superligë, ku ka mposhtur Dukagjinin me rezultat 2-1.

Skuadra e Ismet Munishit fitoi falë dy penalltive të realizuara nga Gehrard Progni, teksa Mentor Zhdrella realizoi për mysafirët.

Kjo fitore e mbanë Gjilanin në krye të tabelës së bashku me Ballkanin me nga 42 pikë.

Pas ndeshjes, trajneri i Gjilanit, Ismet Munishi ka thënë se skuadra e tij fitoi me pak fat, pasi nganjëherë arrin fitore edhe kur nuk luan mirë.

“Kishim pak fat, pasi Dukagjini krijoi rastet e veta. Por kështu e ka futbolli, nganjëherë nuk e do. Fituam duke u mbrojtur dhe duke sakrifikuar”.

Gjilani me fitoren ndaj Dukagjinit e qon në 18 numrin e ndeshjeve pa humbje mes kampionatit dhe Kupës së Kosovës.

“Jam i kënaqur me rekordin që kemi vendosur dhe kjo seri në aspektin psikologjik na ndihmon shumë”.

“Një fitore me një lojtar më pak në fushë, është fitore e madhe. Fizikisht jemi një skuadër e mirë, kemi lojtar me përvojë të madhe dhe kualitet të jashtëzakonshëm”.

“Dukagjini bëri një ndër paraqitjet më të mira prej se është në Superligë dhe më vjen keq, pasi luajtën mirë. I inkurajoj Armend Dallkun dhe Dukagjinin të vazhdojnë tutje dhe t’i marrin ndeshjet një nga një. U dëshiroj suksese në ndeshjet e ardhshme”, deklaroi Munishi.

Gjilani ndeshjen e ardhshme e zhvillon në udhëtim te Prishtina, derisa Dukagjini luan në Drenas përballë Feronikelit.  /Telegrafi/

Exit mobile version