Telegrafi

Me mungesa pas rasteve me coronavirus, por Kosova U-21 synon fitore ndaj Andorrës

(Foto: ffk-kosova.com)

Përfaqësuesja e Kosovës U-21 të hënën e ka mbajtur seancën e fundit stërvitore për ndeshjen e sotme (e martë) kundër Andorrës në kuadër të Grupit 3 për kualifikimet e Kampionatit evropian të grupmoshës nën 21 vjeç.

Dardanët e rinj në këtë ndeshje vijnë pas humbjes nga Austria, në të cilën patën paraqitje shumë të mirë, por që u ndëshkuan me një gol të minutave të fundit.

Situata me pandeminë ka ndikuar edhe në kampin e skuadrës U-21, ngase katër futbollistë dhe një anëtar i stafit kanë rezultuar pozitiv në testin për COVID-19, me ç’rast janë izoluar nga pjesa tjetër e ekipit dhe i janë shtruar sërish ritestimit, thuhet në njoftimin e FFK-së.

(Foto: ffk-kosova.com)

Në stërvitjen e fundit ka mbizotëruar atmosferë e mirë dhe entuziazëm për rikthim te fitorja, gjë e cila i duhet tani për momentin kësaj gjenerate për ngritje të moralit dhe arritje të sukseseve të reja.

Ndeshja Kosovë – Andorrë e grupmoshave nën 21 vjeç zhvillohet sot (e martë) në stadiumin “Fadil Vokrri” me fillim në orën 19:00.

(Foto: ffk-kosova.com)