Aktualisht, jo vetëm opozita, por edhe një numër i konsiderueshëm i deputetëve nga radhët e partive në pushtet nuk po e mbështesin marrëveshjen aktuale, me bindjen se shënjimi i vijës kufitare është bërë në dëm të territorit të Kosovës.
Nisur nga klima jo e mirë politike e krijuar në Kuvend, nënkryetari i këtij institucioni, Xhavit Haliti – deputet i Partisë Demokratike të Kosovës – thotë se zgjidhja më e mirë do të ishte përmes Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit.
Çështja e Demarkacionit, sipas tij, është politizuar tepër. Andaj, zgjidhja, sipas tij, duhet gjetur jashtë Kuvendit.
Në anën tjetër, edhe analisti Arben Qirezi thotë se nëse Kuvendi i Kosovës nuk e ratifikon marrëveshjen për Demarkacionin, atëherë qeveritë e Kosovës dhe Malit të Zi mund të dakordohen që çështja t’i procedohet Gjykatës së Arbitrazhit. Një zhvillim i tillë, nënvizon Qirezi, tashmë është parë në rajonin e ish-Jugosllavisë, në rastin e Sllovenisë dhe Kroacisë. Por, fillimisht ai preferon që të dy vendet të shohin edhe mundësinë e rishikimit të marrëveshjes aktuale.
Ndërkohë, analisti nga Instituti Demokratik i Kosovës, Albert Krasniqi, thotë se Kosova fillimisht duhet ta ketë një qëndrim zyrtar nëse e pranon apo jo Marrëveshjen e arritur me Malin e Zi, në mënyrë që më pastaj të ndiqen procedurat tjera. Ky qëndrim, thekson ai, arrihet përmes procedimit të Marrëveshjes për ratifikim në Kuvend nga ana e qeverisë. Në rast se sërish nuk ka vota dhe dështon ratifikimi i saj, atëherë vijnë në shprehje opsionet tjera.
Ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, i është vënë Kosovës si kusht i pashmangshëm për liberalizimin e vizave nga ana e Komisionit Evropian. /REL/