Seanca fillestare e paraparë të mbahej sot, më 6 qershor ndaj tre të akuzuarve Kastriot, Kreshnik dhe Halil Mehmetaj, është anuluar për shkak se Prokuroria ende nuk ua ka siguruar mbrojtjes provat e propozuara në aktakuzë.
Për të njëjtat arsye ishe ndërprerë edhe seanca e kaluar e 24 majit për këtë rast.
Njoftimin për anulimin e seancës për “Betimi për Drejtësi”, e ka bërë të ditur kryetarja e trupit gjykues Violeta Husaj-Rugova.
Për vrasjen e cila kishte ndodhur më 26 nëntor 2021 në Gllogjan, ku kishin mbetur të vdekur dy nxënës dhe shoferi i autobusit po akuzohen Kastriot Mehmetaj, Kreshnik Mehmetaj dhe Halil Mehmetaj.
Mbrojtësi i të akuzuarit Kreshnik Mehmetaj, avokati Sylë Lokal, përmes parashtresës së datës 5 qershor 2023, kishte njoftuar gjykatën se pas kërkesës së tij në seancën fillestare të 24 majit për sigurimin e dëshmive të propozuara në aktakuzë nuk u janë dorëzuar.
Sipas parashtresës, prokuroria mbrojtjes i ka dorëzuar dy CD me dëshmitë e dëshmitarëve të dhënë në polici, ndërkaq nuk i ka dorëzuar dëshmitë e tyre të dhëna në prokurori.
Gjithashtu ai kishte cekur se mbrojtjes nuk u janë dorëzuar as deklaratat e dëshmitarëve që nuk janë propozuar në aktakuzë si dëshmitarë, por dëshmitë e tyre janë përshkruar në arsyetimin e aktakuzës.
Andaj, për këto arsye të cekura më lartë, gjyqtarja tha se është lajmëruar prokurorja e shtetit Sahide Gashi, që mbrojtësve t’ua siguron të gjitha provat e kërkuara dhe ato të cilat nuk hapen përmes programeve të ngarkuara me anë të CD.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë, më 5 maj 2023, në një konferencë për medie, ka bërë të ditur që lidhur me vrasjen e trefishtë më 26 nëntor 2021 në Gllogjan, është ngritur aktakuzë ndaj Kreshnik e Kastriot Mehmetajt për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe ndaj Halil Mehmetajt për “Shtytje në kryerje të veprës penale vrasje e rëndë”.
Në atë konferencë, prokurorja e rastit Sahide Gashi, bëri të ditur se ndaj të pandehurit Malsor Mehmetaj, kanë pushuar hetimet pasi nuk është arritur të vërtetohet dyshimi se i njëjti ka qenë i përfshirë në këtë rast.
“Pas hetimeve, Prokuroria sot më 5 maj ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themeore në Pejë kundër Kastriot Mehmetaj e Kreshnik Mehmetaj për vepër penale si bashkëkryes të vrasjes së rëndë. Kemi ngritur aktakuzë edhe kundër Halil Mehmetaj për vepër penale shtytje në vrasje të rëndë. Pas përfundimit të hetimeve dhe shqyrtimit të të gjitha provave, Prokuroria për të pandehurin Malsor Mehmetaj nuk ka arritur të vërtetojë dyshimin se i njëjti të ketë qenë i përfshirë në ndonjë mënyrë në krim, andaj Prokuroria ka marrë vendim që kundër tij t’i pushojë hetimet”, tha ajo.
Prokurorja Gashi, po ashtu ka bërë të ditur për veprimet që janë ndërmarrë në hetimin e rastit.
“Për shkak të kushteve të rënda atmosferike atë ditë dhe ditëve në vijim, ekzaminimi i vendit të ngjarjes nga njësiti i Forenzikës kanë kryer krehjen e zonës së krimit. Natën kritike është sjellë ekipi i qenve, por për shkak të kushteve atmosferike nuk ka qenë i mundur gjurmimi i kryesve. Pas grumbullimit të të gjitha informatave, provave, kemi mundur të konstatojmë me besueshmëri të lartë se nuk ka indikacione për sulm terrorist, kemi të bëjmë me ekzekutues me shumë gjasë i maskuar. Targeti i sulmit ishte shoferi i autobusit, se kemi të bëjmë me një krim mirë të planifikuar, mbi bazën e treguese si përzgjedhja e vendit ku përveç një vendbanimi të vogël që gjendej në largësi të autobusit, nuk ka asnjë shtëpi; kohën, stinën e dimrit, kushtet atmosferike; kryesi paraprakisht e ka ditur mirë itinerarin e autobusit; veprimet e kryesit, shtirja si person i dehur apo me probleme, që ta detyrojë shoferin që ta ulë shpejtësinë”, ka thënë Gashi.
Tutje, ajo bëri të ditur se gjatë hetimeve janë proceduar 86 persona, qindra informata, janë analizuar mbi 40 video-incizime nga Gjakova e deri në Gllogjan, teksa shtoi se janë dërguar prova edhe në Zvicër e Shqipëri.
“Janë siguruar informata nga burime jashtë vendit, kompania Facebook dhe kompania Viber në Luksemburg. Si përfundim, nga të gjitha hetimet kemi arritur që të sigurojmë prova ku e kemi ndërtuar të gjithë ngjarjen e natës kritike”, tha Gashi.
Ndryshe, tre persona kishin mbetur të vdekur dhe një ishte plagosur, nga sulmi me armë zjarri që kishte ndodhur mbi autobusin me udhëtarë në fshatin Gllogjan të Deçanit më 26 nëntor të vitit 2021.
Dy nga të vdekurit ishin nxënës, ndërsa personi tretë ishte drejtuesi i autobusit.
Dy javë pas rastit, ishin arrestuar fillimisht tre të dyshuar për këtë vrasje të trefishtë, ndërsa më 5 shkurt të këtij viti ishte prangosur edhe i dyshuari i katërt.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë më 12 dhjetor 2021, kishte caktuar masën e paraburgimit ndaj tre të dyshuarve.
Në këtë vendim, thuhej se gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se të njëjtit i kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, atë të vrasjes së rëndë dhe të armëmbajtjes pa leje.
Sipas arsyetimit të gjykatës, ekziston rreziku që të dyshuarit të arratisen, të ndikojnë te dëshmitarët apo te të dëmtuarit, të fshehin provat ose të bashkërendojnë mbrojtjen për të pamundësuar zbardhjen e rastit.