Telegrafi

Mungesa e kuorumit dhe anulimi i seancës, Hoti: Kjo sjellje e mazhorancës është joserioze

Deputet i Kuvendit të Kosovës nga LDK-ja, Avdullah Hoti

Sot u anulua seanca e Kuvendit të Kosovës e paraparë të mbahej në ora 12:00 për shkak të mungesës së kuorumit.

Nga 120 deputetë sa ka Kuvendi i Kosovës të pranishëm ishin vetëm 44, ndërkaq kryetari i Kuvendit të Kosovës anuloi mbajtjen e seancës pasi tha se nuk ka kushte për mbajtjen e saj.

E lidhur me anulimin e seancës sot reagoi deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.

Lexo po ashtu Nga 120 deputetë, të pranishëm vetëm 44, dështon seanca e Kuvendit

Ai në një postim në Facebook shkruan se një sjellje e tillë e mazhorancës është joserioze.

“Sot u anulua seanca e Kuvendit të Kosovës në mungesë të kuorumit. Kjo sjellje e mazhorancës është joserioze. Ka pika në rendin e ditës që presin për muaj me radhë, përfshirë zgjedhjen e udhëheqësve dhe bordeve të institucioneve të pavarura.

Shumë institucione të pavarura dhe agjenci qeveritare kanë mbetur pa drejtues për shkak të insistimit të Kryeministrit për të futur duart gjithkund në shërbimin publik.

Aty ku nuk po ka mundësi, po tenton t’i ndërroj ligjet, siç e provoi me Ligjin për Këshillin Prokurorial dhe Ligjin për Këshillin e Pavarur të Shërbimit Civil. Në të dy rastet, Gjykata Kushtetuese konstatoi se ka pasur shkelje kushtetuese.

Njëjtë do të ndodhë edhe me disa ligje të tjera që janë në Gjykatën Kushtetuese, përfshirë Ligjin për zyrtarët publik dhe Ligjin për kufizimin e çmimeve”, tha ai. /Telegrafi/